TIRANË- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi se ekonomia shqiptare po përjeton një rritje të qëndrueshme dhe se norma bazë e interesit do të mbetet e pandryshuar, për të siguruar stabilitetin financiar. Edhe pse sektorët industrialë kanë pësuar rënie, turizmi sërish ka qenë ndër faktorët kryesor. Guvernatori thekson se rritja ekonomike do të vazhdojë dhe parashikohet që të jetë në këto nivele edhe vitin e ardhshëm.
"Rritja ekonomike për 3 mujorin e dytë ka qenë 3.5 përqind. Parashikojmë rritje në këto nivele në fund të vitit. Sektorët që kanë ndikuar janë turizmi. Sektorët industrialë kanë pësuar rënie dhe kanë ndikuar negativisht në rritjen ekonomike. Sidoqoftë, rritja ekonomike është e qëndrueshme. Bazuar në këto trende, rritja ekonomike do të vazhdojë. Po ashtu edhe rritja e pagave, do të ndikojë në rritjen ekonomike. Ne parashikohemi të kemi këto nivele të rritjes ekonomike edhe vitin e ardhshëm”, theksoi Sejko.
Në një konferencë për mediat, Sejko deklaroi gjithashtu se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm për të garantuar stabilitetin e çmimeve dhe për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit. Sejko nënvizoi se inflacioni ka shënuar një rritje të lehtë gjatë muajve korrik-gusht, duke arritur nivelin prej 2.4%, nga 2.3% që ishte mesatarja në tremujorin e dytë të vitit.
“Qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm për të garantuar stabilitetin e çmimeve dhe për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Inflacioni shënoi një rritje të lehtë në korrik gusht, duke arritur nivelin 2.4 %, krahasuar me 2.3% që ishte në tre mujorin e dytë të viti.", tha Sejko.
Guvernatori dha gjithashtu lajmin e mirë lidhur me sistemin e pagesave në vend, ku po punohet intensivisht për dixhitalizimin e sistemin për të sjellë lehtësira të mëdha për qytetarët dhe bizneset shqiptare. Sipas Sejkos, transaksionet do të jenë më të shpejta, më të sigurta dhe më ekonomike, duke e afruar sistemin shqiptar me standardet evropiane.
“Po punojmë intensivisht për dixhitalizimin e sistemit të pagesave dhe formalizimin e ekonomisë. Kjo do të sjellë lehtësira të mëdha për qytetarët dhe bizneset shqiptare, me transferta pa komision deri në 40 mijë lekë dhe ulje të komisioneve për transfertat më të mëdha. Qëllimi ynë është që qytetarët shqiptarë të përfitojnë nga lehtësitë që ofron një sistem modern dhe transparent, duke rritur sigurinë dhe efikasitetin e transfertave”, shpjegoi guvernatori.
Sot, më 1 tetor 2025, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare për tremujorin e tretë./ZËRI