
TIRANË- E sotmja duket se ka qenë një nga ditët më të zeza për monedhat e huaja, që sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye me 102.43 lekë. Në këtë pikë, euro ndodhej vetëm në datën 2 Gusht, kur Shqipëria ishte në kulmin e sezonit turistik. Përveç euros, në nivele të ulëta qëndrojnë edhe monedhat e tjera.
Dollari Amerikan zbriti në nivelin e 93.9 lekëve dhe në harkun e një jave ka humbur afërsisht 1.7 lekë në kursin e këmbimit. Edhe kursi i Dollarit Amerikan me Lekun ka prekur nivelin më të ulët që prej datës 2 gusht.
Paundi Britanik u këmbye në vlerën e 117.97 lekëve, niveli më i ulët që prej datës 25 korrik. Një ndër shkaqet që ka çuar në rënien e euros, është dhe fakti se disa prej kompanive që administrojnë hidrocentrale private kanë shitur sasi të mëdha të Euros gjatë kësaj periudhe.
Kushtet e favorshme hidrike kanë rritur prodhimin e energjisë elektrike gjatë vjeshtës, duke bërë që bilanci energjetik në këtë periudhë të jetë pozitiv./Zëri.ai