Ekonomi

Doganat arkëtuan 23.5 miliardë lekë në korrik, karburantet nxitën rritjen e të ardhurave

Një nga zërat me kontributin më të lartë ishte TVSH-ja, të ardhurat nga e cila u rritën me rreth 108 milionë lekë.

Redaksia Zëri
Doganat arkëtuan 23.5 miliardë lekë në korrik, karburantet
foto ilustruese

TIRANË- Të ardhurat doganore vijuan rritjen në korrik, të mbështetura kryesisht nga karburantet, ndërsa kontribut pozitiv dhanë edhe gazi, tekstilet dhe eksportet e naftës bruto e mineraleve.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, gjatë korrikut 2026 u mblodhën 23.5 miliardë lekë, rreth 223 milionë lekë më shumë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Një nga zërat me kontributin më të lartë ishte TVSH-ja, të ardhurat nga e cila u rritën me rreth 108 milionë lekë. Brenda kësaj kategorie spikat karburanti i importuar, me rreth 619 milionë lekë më shumë krahasuar me korrikun 2025. Rritje u regjistrua gjithashtu nga gazi, me rreth 111 milionë lekë, dhe nga veshjet e tekstilet, me rreth 107 milionë lekë.

Edhe të ardhurat nga akciza neto u zgjeruan, me rreth 48 milionë lekë në raport me një vit më parë. Sipas Doganave, karburantet dhanë ndikimin kryesor në këtë zë, me rreth 126 milionë lekë më shumë.

Nga taksat doganore u arkëtuan rreth 19 milionë lekë më shumë, ndërsa renta minerare solli një shtesë prej rreth 51 milionë lekësh.

Rritja e rentës minerare lidhet kryesisht me sasitë më të larta të eksportuara të naftës bruto dhe mineraleve të tjera. Kontributi shtesë llogaritet në rreth 7 milionë lekë nga nafta bruto dhe 44 milionë lekë nga mineralet e tjera.

Të dhënat e korrikut tregojnë se ecuria e të ardhurave doganore mbetet e lidhur në një masë të konsiderueshme me tregtinë e produkteve energjetike, veçanërisht karburanteve, të cilat kanë dhënë ndikim në disa prej kategorive kryesore të arkëtimeve./Monitor

Poll

MOS HUMB