Ekonomi

Bilanci i Bankës së Shqipërisë arrin vlerën më të lartë historike

Sipas të dhënave më të fundit, të muajit gusht, rezerva valutore arriti vlerën më të lartë historike, në pothuajse 7.1 miliardë euro, 22% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Redaksia Zëri
Bilanci i Bankës së Shqipërisë arrin vlerën më
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË- Bilanci i Bankës së Shqipërisë arriti vlerë më të lartë historike në muajin shtator. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se totali i aktiveve arriti vlerën e pothuajse 846 miliardë lekëve, vlera më e lartë e regjistruar ndonjëherë.

Vlera e aktiveve të bilanc u zgjerua me 2.4% krahasuar me gushtin dhe me 11.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në një këndvështrim të thjeshtuar, zmadhimi i bilancit të Bankës Qendrore tregon, si rrjedhojë, një injektim më të madh të parasë në ekonomi. Vlera e parasë në qarkullim (që paraqitet në bilancin e Bankës së Shqipërisë si detyrim), është në rritje vjetore me 15.5%.

Duke analizuar rritjen e bilancit sipas zërave kryesorë, efektin kryesor në zgjerimin vjetor të aktiveve e kanë dhënë letrat me vlerë të jorezidentëve. Vlera e këtij portofoli arriti në më shumë se 514 miliardë lekë, në rritje me 22% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Një tjetër komponent i rezervës valutore të Bankës Qendrore, ari monetar, gjithashtu raportohet në rritje të ndjeshme, me një vlerë prej 57.6 miliardë lekësh, 20% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Rritja e këtyre zërave në mënyrë të tërthortë tregon se zgjerimi i bilancit është i lidhur edhe me rritjen e vlerës së rezervës valutore që administrohet nga Banka e Shqipërisë. Sipas të dhënave më të fundit, të muajit gusht, rezerva valutore arriti vlerën më të lartë historike, në pothuajse 7.1 miliardë euro, 22% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Banka Qendrore prej vitesh po ndjek një politikë të shtimit e rezervave valutore, në funksion të nevojave të mundshme të ekonomisë dhe sektorit financiar. Rezerva është rritur me blerje të vazhdueshme dhe në rritje të valutës në tregun e brendshëm, nëpërmjet ankandeve të planifikuara.

Por, në dy vitet e fundit rolin kryesor në këtë drejtim e kanë dhënë blerjet e drejtpërdrejta të valutës, në funksion të frenimit të mbiçmimit të mëtejshëm të Lekut në kursin e këmbimit. Rritja e blerjeve të valutës nënkupton injektime të reja në gjendjen e rezervës valutore dhe paralelisht shtim të injektimit të Lekut në ekonomi.

Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë bleu 933 milionë euro, ndërsa sipas deklaratave të Guvernatorit Sejko në Kuvendin e Shqipërisë, për nëntë muajt e parë të këtij vitit blerjet kanë arritur në rreth 800 milionë euro.

Rritja e rezervës valutore është përcaktuar edhe nga faktorë me ndikim më afatshkurtër, si emetimet i Eurobondeve nga qeveria në tregjet e huaja financiare.

Megjithatë, ndryshimi i vlerës së aktiveve në valutë të huaj nuk është i lidhur vetëm me volumin e investimeve të reja, por edhe lëvizjet e çmimit të instrumenteve në tregjet ndërkombëtare. Pas vitit 2024, ulja e normave të interesit ka sjellë rritje të çmimit të letrave me vlerë të borxhit dhe të arit në tregjet ndërkombëtare, duke ndikuar rrjedhimisht edhe në rritjen e vlerës së aseteve të mbajtura në këto instrumente./Monitor

Poll

MOS HUMB