
TIRANË- Banka e Shqipërisë ka miratuar disa rregulla të reja për kreditë konsumatore. Rregullat e reja kanë si synim të mbrojnë konsumatorët dhe të ulin normën e interesit. Sipas ndryshimeve të reja në rregullore “Për Kredinë konsumatore dhe Hipotekore”, BSH si kriter ka të shqyrtojë metodologjinë e interesit maksimal që vendosen nga subjektet që nuk janë banka, apo janë shoqëri të mikrokredisë. Në rregulloren e re do të ulet më tej kostoja e interesit për kreditë konsumatorë në fashën nga 0 – 200 000 lek.
Po ashtu një tjetër në rregullore është edhe reduktimi i kostove të komisioneve të aplikuara për kredinë. Kjo do të thotë se konsumatori duhet t’i paguagë komisionet në momentin e marrjes së kredisë dhe jo më me këste.
Në rregulloren e re përfshihen dhe ndryshimet në transparencën për produketet dhe shërbimet financiare, pasi tani e tutje do të përcaktojë Banka e Shqipërisë sesi do të transmetohet reklamat e instuticioneve financiare. Kjo në mënyrë që BSH të mund të ndërhyjë për të ndaluar ose korrigjuar ato elementë që mund të dezinformojnë konsumatorët rreth kredive.
Banka e Shqipërisë ka përgatitur disa ndryshime në rregulloren “Për administrimin e rrezikut në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka”. Në rregullore parashikohet se një institucion financiar jobankë nuk do të lejohet të japë në të njëjtën kohë më shumë se dy kredi konsumatore për të njëjtin huamarrës.
Po ashtu, do të ketë një vlerë tavan të kësteve të kredisë në raport me të ardhurat mujore neto të huamarrësve. Vlera e raportit të shërbimit të borxhit kundrejt të ardhurave nuk duhet të tejkalojë vlerën prej 40%. Kjo vlerë mund të jetë më e lartë vetëm në rastet kur kredimarrësi ka evidenca të mjaftueshme që niveli më i lartë i raportit nuk cënon pagesën e detyrimeve të kredisë. Pra, projektrregullorja parashikon gjithashtu edhe kërkesa më të detajuara dhe rigoroze të administrimit të rrezikut mbi huadhënien konsumatore.
Këto masa janë marrë pas skandaleve me mikroreditë që ndodhën në vend. Këto zyra përmes njoftimeve online dhe në televizione, krijuan një perceptim të gabuar te qytetarët se ishin njësoj si bankat e tjera. Në fakt, në realitet këto zyra japin kredi shpejt dhe me norma përtej normales. Pa asnjë filtër, këto institucione iu japin qytetarëve kredi në situata që ata nuk munden dot kurrsesi ti paguajnë. Këtu nisi dhe kalvari i abuzimeve. Kreditë e këqija, përfshirë dhe ato të bankave iu shitën MCA. Tashmë çështja është në duart e SPAK dhe kutia e "Pandorës" pritet të hapet. Ky skandal, deri më tani ka marrë 2 jetë njerëzisht. Njëri ishte Pal Trashaj, i cili u vetëflijua para ambienteve të SPAK, ndërsa nga një godinë në ndërtim u hodh Olsi Ibro, i cili ishte një nga pronarët e MCA./ZËRI