
TIRANË- Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore ka miratuar një financim shtesë prej 80 milionë dollarësh për Shqipërinë. Sipas tyre, fondi është miratuar për modernizimin dhe transformimin digjitaln të sektorit publik, duke përmirësuar aksesin në shërbimet kryesore për qytetarët, veçanërisht për grupet e cënueshme.
Banka Botërore nënvizon se financimi shtesë vjen si rezultat i progresi të projektit kryesor “Përmirësimi i Aksesit të Barabartë në Shërbimet Publike me Standarde të Larta përmes GovTech” (prej 65 milionë dollarë), i cili synon të rrisë aksesin dhe cilësinë e shërbimeve publike. Aktualisht projekti po zbaton disa aktivitete, duke përfshirë ridizenjimin dhe përmirësimin e platformës E-Albania, krijimin e qendrave të inovacionit për të rinjtë për përvetësimin e aftësive digjitale si dhe ngritjen e 200 SmartLabs në shkollat fillore që do të shërbejnë për të rritur njohuritë mbi numërimin, leximin dhe aftësitë digjitale.
“Jemi krenarë që kemi mbështetur qeverinë në zgjerimin e këtij programi të rëndësishëm. Me modernizimin dhe digjitalizimin e shërbimeve edhe për qeverisjen vendore dhe me përmirësimin e sistemeve të menaxhimit financiar, ky program do të rrisë më tej transparencën dhe efikasitetin e shërbimeve publike, proceseve të prokurimit si dhe menaxhimin e buxhetit si në nivel qendror ashtu edhe atë vendor,” -tha Richard Record, Menaxheri në detyrë i Bankës Botërore për Shqipërinë.
Financimi shtesë i sapo miratuar nga Banka Botërore do të zgjerojë aktivitetin e programit në tri fusha të rëndësishme, si:
- Rimodelimi dhe digjitalizimi i shërbimeve të qeverisjes vendore: Kjo do të sigurojë efikasitet në aksesin ndaj një game të gjerë shërbimesh administrative bashkiake, duke sjellë përfitime për qytetarët dhe bizneset.
- Zhvillimi i një platforme të re digjitale për prokurimin publik: Duke integruar inovacionin e bazuar në inteligjencën artificiale, kjo platformë do të rrisë transparencën, efikasitetin dhe llogaridhënien në proceset e prokurimit publik, duke sjellë kursim dhe efikasitet në kontraktimet që bëjnë institucionet qeveritare.
- Zbatimi i një sistemi të ri për menaxhimin e financave publike: Përmes hartimit dhe zbatimit të një sistemi të ri digjital për menaxhimin e financave publike, programi do të ndihmojë qeverinë qendrore dhe vendore të menaxhojnë më shpejt dhe më saktë buxhetin për investime publike për popullsinë lokale.
“Financimi shtesë pritet të sjellë ndikim të qenësishëm në jetën e qytetarëve. Parashikojmë një rritje prej të paktën 25% të përpunimit të aplikimeve online për shërbimet publike që do të sjellë përmirësimin e aksesit në shërbime, përfshirë grupet e cënueshme, si personat me aftësi ndryshe,” -tha Simon Carl O’Meally, Drejtuesi i Ekipit të Projektit.
Sipas Bankës Botërore ky projekt është miratuar për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve publike nga një administratë më moderne dhe e orientuar nga qytetarët, për të forcuar kapitalin njerëzor dhe për të nxitur një rritje më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse në Shqipëri./ZËRI