TIRANË- Dhjetë vite pas zbatimit të Reformës Administrative-Territoriale, e cila reduktoi numrin e njësive të qeverisjes vendore nga 373 bashki e komuna në 61 bashki, pushteti vendor vijon të përballet me sfida të rëndësishme financiare, administrative dhe institucionale.
Në një kohë kur ka nisur debati për një riorganizim të mundshëm të territorit dhe bashkimin e disa bashkive, Instituti për Bashkitë ka publikuar raportin “Qeverisja Vendore në Shqipëri 2025 – Bashkitë ndërmjet decentralizimit dhe centralizimit vendor”.
Raporti analizon ecurinë e reformës gjatë dekadës së parë të zbatimit dhe evidenton një kontradiktë të fortë: ndërsa bashkive u janë transferuar më shumë funksione dhe përgjegjësi, autonomia e tyre financiare dhe administrative mbetet e kufizuar.
Reforma e vitit 2015 synonte reduktimin e fragmentimit territorial, rritjen e eficiencës administrative, përmirësimin e shërbimeve publike dhe forcimin e decentralizimit. Megjithatë, sipas analizës së Institutit për Bashkitë, rezultatet e arritura janë të pabarabarta dhe kapacitetet e bashkive ndryshojnë ndjeshëm nga njëra-tjetra.
Në aspektin financiar, bashkitë kanë shënuar rritje të të ardhurave të veta. Sipas të dhënave të cituara në raport, të ardhurat e veta të bashkive u rritën nga 11.7 miliardë lekë në vitin 2015 në 29.4 miliardë lekë në vitin 2021, ose rreth 2.5 herë më shumë.
Edhe burimet financiare totale të qeverisjes vendore kanë vijuar të rriten. Në vitin 2025 ato arritën rreth 92 miliardë lekë, ndërsa të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore arritën rreth 45.1 miliardë lekë, ose afërsisht gjysmën e totalit.
Megjithatë, rritja e burimeve financiare nuk do të thotë automatikisht rritje e autonomisë fiskale. Një pjesë e konsiderueshme e bashkive, veçanërisht ato të vogla dhe rurale, vijojnë të varen nga transfertat e qeverisë qendrore.
Një tjetër tregues i rëndësishëm është niveli i shpenzimeve për frymë. Për vitin 2025, buxheti vendor në Shqipëri vlerësohet rreth 400 euro për banor, ndërsa në vendet e Bashkimit Europian shpenzimet e qeverive vendore në vitin 2024 ishin mesatarisht rreth 4,437 euro për banor. Diferenca tregon kufizimin e kapacitetit financiar të pushtetit vendor shqiptar në raport me standardet europiane.
Sipas Institutit për Bashkitë, kjo diferencë reflektohet në kapacitetin për të financuar investimet publike, cilësinë e shërbimeve dhe aftësinë administrative të bashkive për të përmbushur përgjegjësitë e tyre.
Instituti rekomandon rritjen graduale të transfertës së pakushtëzuar nga rreth 1% e PBB-së në të paktën 2% të PBB-së, si dhe përmirësimin e mekanizmave të barazimit fiskal ndërmjet bashkive.
Taksa e pronës, potencial ende i pashfrytëzuar
Një prej burimeve më të rëndësishme të të ardhurave të bashkive është taksa mbi pasurinë e paluajtshme. Megjithatë, sipas raportit, të ardhurat nga kjo taksë mbeten të ulëta në raport me standardet rajonale dhe europiane.
Aktualisht, ato përfaqësojnë rreth 0.3% të PBB-së, ndërkohë që mesatarja e vendeve të rajonit vlerësohet rreth 0.8%, ndërsa në vendet e OECD-së rreth 1.1%.
Raporti e lidh këtë situatë edhe me mangësitë në administrimin e informacionit mbi pasuritë e paluajtshme. Për këtë arsye, rekomandohet përmirësimi i kadastrës fiskale, përditësimi i të dhënave dhe shkëmbimi më efektiv i informacionit ndërmjet bashkive dhe institucioneve përgjegjëse.
Tirana dominon financat vendore
Pabarazia territoriale mbetet një tjetër problem i rëndësishëm. Bashkia Tiranë gjeneron mbi 53% të të ardhurave kombëtare nga taksa e ndërtesës, ndërsa shumë bashki të vogla dhe rurale vijojnë të mbështeten në transfertat nga qeveria qendrore.
Përsa përket rritjes nga taksa e ndikimin në infrastrukturë, kjo ndodh kryesisht për shkak të zgjerimit të aktivitetit të sektorit të ndërtimit, rritjes së investimeve private dhe përmirësimit të administrimit fiskal vendor. Bashkitë më të mëdha arritën të kenë baza më të gjera tatimore dhe kapacitete më të mira për mbledhjen e të ardhurave.
Megjithatë, sipas ekspertëve të Institutit për Bashkitë, kjo rritje e të ardhurave mbetet pjesërisht impulsive dhe e mbështetur kryesisht në zhvillimin e sektorit të ndërtimit dhe aktivitetit urban. Në rast të një ngadalësimi të këtij sektori, shumë bashki mund të përballen me ulje të ndjeshme të të ardhurave dhe rritje të vështirësive financiare. Një tjetër problem që evidentohet në këtë analizë përsëri për vitin 2025 mbetet pabarazia territoriale.
Kjo krijon diferenca të mëdha në aftësinë e bashkive për të financuar shërbimet publike dhe investimet. Sipas raportit, përballë kësaj situate nevojitet diversifikimi i ekonomive lokale, duke nxitur sektorë si bujqësia, turizmi, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, shërbimet, inovacioni dhe teknologjia.
Njëkohësisht, Instituti kërkon rishikimin e formulës së transfertës së pakushtëzuar dhe krijimin e mekanizmave më efektivë të barazimit fiskal.
Bashkitë kanë marrë 41 funksione, por mbeten pa burime të mjaftueshme
Ligji nr. 139/2015 zgjeroi ndjeshëm kompetencat e pushtetit vendor, duke transferuar rreth 41 funksione tek bashkitë. Për herë të parë, bashkitë morën përgjegjësi të reja në fusha si: arsimi parashkollor, mbrojtja nga zjarri, shërbimet sociale, pyjet dhe kullotat, rrugët rurale, ujitja dhe kullimi si dhe menaxhimi i mbetjeve-tendence decentralizuese dhe simetrike. Ekspertët e Institutit për Bashkitë kanë argumentuar nevojën për të diskutuar dhe eksploruar modele të decentralizimit asimetrik, duke marrë në konsideratë faktin se jo të gjitha bashkitë në Shqipëri kanë të njëjtat burime financiare, kapacitete administrative, potencial ekonomik apo karakteristika territoriale dhe demografike.
Sipas këtij vlerësimi, aplikimi i një modeli unik dhe uniform të kompetencave për të gjitha bashkitë ka prodhuar shpesh diferenca në eficiencën e shërbimeve publike dhe në aftësinë e njësive vendore për të ushtruar funksionet e tyre. Bashki të mëdha urbane, si Tirana, Durrësi apo Fieri etj., kanë kapacitete financiare dhe administrative shumë më të larta krahasuar me bashkitë e vogla rurale apo zonat me tkurrje demografike.
Kjo reformë synonte afrimin e shërbimeve pranë qytetarëve dhe rritjen e rolit të bashkive në zhvillimin lokal. Megjithatë, në shumë raste transferimi i kompetencave nuk u shoqërua me burime të mjaftueshme financiare, njerëzore, shpesh të shoqëruara me mbivendosje funksionesh, kapacitete të kufizuara teknike dhe mungesë të një ndarjeje të qartë të kompetencave dhe kuadrit legjislativ ndërmjet nivelit qendror dhe atij vendor. Si rezultat, shumë bashki u përballën me vështirësi në menaxhimin e funksioneve të reja dhe me pamundësi për të garantuar standarde të njëjta shërbimi në të gjithë territorin.
Sipas ekspertëve të Institutit për Bashkitë, këto funksione nuk duhet të trajtohen më si “funksione të transferuara”, por si funksione të plota të vetë bashkive, me financim të integruar në buxhetin e përgjithshëm vendor. Kjo do të rriste përgjegjshmërinë e bashkive dhe do të krijonte më shumë fleksibilitet në ndarjen e burimeve sipas prioriteteve lokale.
“Në vitet e fundit janë vërejtur edhe tendenca të reja centralizuese në sektorë strategjikë. Disa prej tyre janë: reorganizimi i sektorit të ujësjellës-kanalizimeve në 15 kompani rajonale me kontroll dominues të qeverisë qendrore, krijimi i operatorit kombëtar për trajtimin e mbetjeve (AKEM)21, kufizimi i rolit të bashkive në planifikimin territorial dhe në dhënien e lejeve të ndërtimit për objektet mbi 6 kate, kalimi në kompetencë qendrore i administrimit të vijës bregdetare dhe stacioneve të plazhit etj.- tendencat e centralizimit.
Këto zhvillime kanë ardhur si rezultat i argumentit për nevojën e standardizimit, rritjes së kontrollit financiar dhe menaxhimit më efikas të sektorëve strategjikë. Megjithatë, ato kanë sjellë dobësim të autonomisë vendore dhe reduktim të rolit të bashkive në vendimmarrjen lokale.
Sipas ekspertëve të Institutit për Bashkitë, gjatë vitit 2025 është vërejtur një qasje më e centralizuar në marrëdhëniet ndërmjet qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor, e cila në disa raste është reflektuar edhe përmes deklaratave dhe qëndrimeve politike me ndikim të drejtpërdrejtë në organizimin dhe funksionimin e administratës vendore”, theksohet në raport./Monitor