TIRANË-Me ardhjen e motit të ri, temperaturat ranë ndjeshëm. Veçanërisht në zonat veriore. Edhe në Kosovën fqinje dhe Maqedoni të Veriut ngricat mbuluan rrugët. Atje, menjëherë entet përgjegjëse të mirëmbajtjes së rrugëve, u vunë në punë për të hedhur kripë, që të shkrinin akujt dhe t'i ruanin segmentet e kalueshme.
Dimri kërkon kujdes dhe mirëmbajtësit e përgjegjshëm të rrugëve në dimër nuk u besojnë rastësive dhe nuk presin: ata rrinë vigjilent dhe në gatishmëri të ndërhyrjeve që parandalojnë bllokime të qarkullimit dhe aksidente. Po në Shqipëri?
Përgjigjja më ilustruese erdhi sot nga Rruga e Kombit. Më shumë se sa 10 aksidente, mes tyre edhe një ambulancë, në një ditë me fluks dhe ngrica të pritshme sipas parashikimeve të motit, u përfshinë në një aksident të shumëfishtë automobilistik. Arsyeja? E thonë vetë qytetarët nga vendngjarja dhe rrjetet sociale njëzëri: ngricat në rrugë.
Regjimi i ngricave dhe aksidenteve gjetën terren për shkak të mungesës së masave të mirëmbajtjes së rrugës. Thënë shkoqur: për pak kripë të pahedhur.
Disa herë përmes artikujsh kemi ngritur shqetësimin: Përse duhet të jetë barrë financiare e siguruesve dhe e qytetarëve papërgjegjshmëria e enteve përgjegjëse të sigurisë dhe gjendjes rrugore në vend?
Aksidentet kanë ndodhur si moskujdes për mirëmbajtjen e rrugës, për vetëm pak kripë të pahedhur, ndërsa faturën do ta paguajnë kompanitë siguruese dhe qytetarët fatkeq, të përfshirë në këtë aksident.
Disa automjeteve të përfshira në aksident, me siguri pas këqyrjes policore, do t'u ngarkohet fajësia dhe kjo do të thotë që edhe pse përgjegjësi për mirëmbajtjen e asaj rruge është një firmë konkrete, që nuk tregoi vëmendjen e duhur t'u paraprinte bllokimeve dhe dëmeve nga ngricat, siç ka firmosur në kontratë dhe punë për të cilën paguhet nga paratë e shqiptarëve, dëmet materiale do të paguhen nga kompanitë siguruese dhe qytetarët. Madje edhe dëmet ndaj mirëmbajtësit, si palë e tretë, nëse ka patur, që do të duhej ta siguronte qarkullimin në këtë rrugë.
Raporti policor automatikisht do t'i regjistronte qytetarët e ngarkuar me faj në sistemin malus si të përfshirë-shkaktarë në këtë aksident, sipas metodologjisë së re që hyri në fuqi më 1 janar. Ata do të paguajnë më shumë për siguracionin e radhës.
Thënë përmbledhurazi: këtë dëm do ta paguajnë vetëm qytetari dhe siguruesi. Asnjë pasojë për kontraktorin e mirëmbajtjes së rrugës, përgjegjësin kryesor të kësaj ngjarjeje.
Radhët e këtij shkrimi duhet të vijnë si thirrje: në raste si këto, koncesionari, përgjegjësi i mirëmbajtjes rrugore, do të duhet të marrë edhe përgjegjësinë financiare të mosveprimit të tij në kohë.
Kripa në Rrugë të Kombit, sinjalistika në Rrugë të Arbrit e në disa rrugë të tjera, vijojnë të shkaktojnë aksidente me dëme në jetë dhe dëme materiale, faturat e të cilave nuk i shkojnë atyre që shqiptarët i paguajnë përmes taksash për t'ua bërë rrugët më të qarkullueshme dhe më të sigurta: koncesionarëve dhe enteve përgjegjëse për mirëmbajtje.
Thirrja shkon edhe për ligjvënësit: përsa kohë do të vijohet që dëmet që shkaktohen nga papërgjegjshmëria e kontraktorëve të mirëmbajtjes, t'i paguajnë qytetarët dhe siguruesit?! A ju duket e drejtë? Shkrimi marrë nga Sigurime.online