TIRANË- Është prezantuar këtë të martë, raporti i tranzicionit të BERZH, 2025-2026 “Brave old World”, ku ishte i pranishëm edhe Guvernatori i Bankës Shqiptare, Gent Sejko. Në fjalën e tij Sejko shprehet se ekonomia shqiptare është e rrezikuar nga emigracioni, plakja e popullsisë dhe mungesa e fuqisë punëtore. Sejko theksoi se këto trende negative pritet të vijojnë.
Megjithatë, sipas Sejkos ekonomia shqiptare ka treguar qëndrueshmëri dhe përshtatshmëri të mira gjatë viteve të fundit. Guvernatori shtoi se tregu është përshtatur dhe ka kompensuar presionet demografike.
"Në Bankën e Shqipërisë, i kemi analizuar e trajtuar këto çështje dhe zhvillimet demografike prej pothuajse një dekade. Plakja e popullsisë dhe emigracioni janë identifikuar herët në kohë, si sfida përcaktuese për të ardhmen ekonomike të Shqipërisë. Vendi ynë pasqyron shumë nga tendencat e përshkruara në këtë Raport të radhës: plakjen e shpejtë të popullsisë, të kombinuar me largim të konsiderueshëm të të rinjve dhe të popullsisë në moshë pune. Sipas parashikimeve të Kombeve të Bashkuara, këto dinamika pritet të vazhdojnë dhe të intensifikohen në vitet në vijim, duke çuar në përmbysjen e piramidës demografike.
Transformimi i shpejtë demografik po riformëson ekonominë dhe shoqërinë shqiptare, ndërsa këto të fundit tashmë përballen me sfida të ngjashme me ato të theksuara në Raportin e Tranzicionit. Popullsia ka ardhur në rënie të vazhdueshme, ndërkohë që mosha mesatare po rritet me shpejtësi. Regjistrimi i popullsisë i vitit 2023 evidenton rreth 2.4 milionë banorë, afërsisht një e treta më pak krahasuar me vitin 1990. Ndërkohë, mosha mesatare ka arritur pothuajse 43 vjeç.
Emigracioni, dikur i konsideruar si faktor lehtësues për papunësinë dhe varfërinë, po shfaqet gjithnjë e më shumë si një sfidë strukturore. Rritja ekonomike e qëndrueshme, nivelet historikisht të ulëta të papunësisë dhe mungesat e fuqisë punëtore në sektorë kyç, i kanë bërë më të dukshme pasojat afatgjata të ndryshimeve demografike si për bizneset, ashtu edhe për familjet. Plakja e popullsisë ndikon si në kërkesën, ashtu edhe në ofertën agregate: ajo ndryshon modelet e konsumit, dobëson inovacionin dhe produktivitetin, rrit kostot e prodhimit dhe, në fund, ndikon në çmimet, investimet dhe kapacitetin prodhues, duke përbërë kërcënim për qëndrueshmërinë afatgjatë të rritjes ekonomike.
Raportet dhe analizat e Bankës së Shqipërisë kanë theksuar vazhdimisht efektet negative të këtyre prirjeve mbi tregun e punës, pagat, dinamikat e inflacionit dhe potencialin afatgjatë të rritjes së ekonomisë shqiptare.
Megjithatë, ekonomia shqiptare ka treguar përshtatshmëri dhe qëndrueshmëri të lartë vitet e fundit, e mbështetur nga inflacioni i ulët, rritja e qëndrueshme ekonomike, rritja e punësimit dhe e pagave, si edhe përmirësimi i llogarisë korrente. Kushtet e tregut të punës janë përmirësuar ndjeshëm, reflektuar në rritje të punësimit, rënie të papunësisë në nivele historikisht të ulëta dhe produktivitet të punës dukshëm më të lartë krahasuar me periudhën para krizës financiare globale. Deri sot, tregu është përshtatur dhe ka kompensuar presionet demografike, përmes rritjes së normës së pjesëmarrjes në tregun e punës, por kjo është shoqëruar me koston e pagave më të larta dhe, rrjedhimisht, të presioneve më të mëdha inflacioniste.", tha Sejko./ZËRI