
TIRANË-Nga 1 janari deri më 30 shtator 2026, qytetarët dhe bizneset do të kenë mundësinë të rivlerësojnë pronat e tyre, duke i përafruar me çmimet reale të tregut. Projektvendimi është propozuar nga ministria e financave dhe është hedhur për konsultim publik. Bëhet fjalë për Projektvendimin “Për miratimin e metodologjisë, rregullave dhe procedurave për përcaktimin e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme “Ndërtesa”, llogaritjen e taksës mbi ndërtesën dhe pagesën e saj”
Rivlerësimi këtë herë do të jetë me një tatim prej 5%, nga 15% që është aktualisht dhe 3% që ishte në fushatën e fundit të realizuar në vitin 2022.
“Ky projektligj do të ketë gjithashtu ndikim pozitiv në të ardhurat e buxhetit të shtetit, përmes rritjes së të ardhurave nga tatimi mbi rivlerësimin, i cili propozohet të jetë në normën 5%, pa pasur nevojë për ndryshime të normave tatimore ekzistuese. Kjo e bën atë një instrument efikas dhe të qëndrueshëm për politikën fiskale”.



Nisma synon të rrisë transparencën në tregun e pasurive të paluajtshme dhe të sjellë më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit, pa rritur normat tatimore ekzistuese./ZËRI