
TIRANË-Gjatë tremujorit të parë të këtij viti, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në Shqipëri arriti në 82.210 lekë (840 euro), duke shënuar një rritje prej 11,6 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se ky është një nga ritmet më të larta vjetore të rritjes së pagës mesatare. Të dhënat tregojnë se paga në administratën publike, në institucionet arsimore dhe ato të shëndetësisë, si dhe në aktivitetet e sigurimeve shoqërore dhe të ndihmës sociale, u rrit me 16,7 për qind në krahasim me tremujorin e parë të 2024-ës. Ritja më e vogël, krahasuar me tremujorin e parë të 2024, ajo e idustrisë me 5,2 % dhe bujqësia, pyjet e peshkimi me 5,3 për qind.
Sipas të dhënave, gjatë kësaj periudhe është vërejtur një ulje e numrit të punonjësve me pagë minimale dhe një
rritje e numrit të punonjësve me paga më të larta. Më të paguarit rezultojnë të jenë menaxherët, ligjvënësit dhe drejtorët ekzekutivë, si dhe specialistët me arsim të lartë.
Rritja më e madhe e pagës, krahasuar me një vit më parë, u regjistrua edhe tek forcat e armatosura, me një rritje prej 23,1 për qind. Pas tyre vijnë specialistët me arsim të lartë, të cilët përfituan një rritje prej 13,7 për qind. Këto shifra tregojnë një orientim të qartë të politikave publike për të stimuluar profesionet e specializuara dhe strukturat shtetërore.