TIRANË- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka njoftuar se duke nisur nga data 7 tetor, 11 bankat në Shqipëri do të nisin zbatimin e pagesave ndërkufitare në euro sipas standardeve të SEPA-s (Zona e Pagesave të Vetme në Euro). Përmes një videomesazhi në rrjete sociale, Sejko thekson se me mekanizmin e ri nuk do të ketë më vonesa apo procese të ndërlikuara.
“Me SEPA, dërgesat e parave janë të shpejta, të sigurta dhe më të lira. Ato mund të bëhen nga kudo në Evropë dhe në çdo kohë. Me SEPA nuk do të ketë më vonesa, procese të ndërlikuara apo tarifa të lartë për transferimet ndërkufitare të Euros”, shprehet Sejko.
Çfarë është SEPA?
SEPA është iniciativë e Bashkimit Evropian, e cila u mundëson individëve dhe bizneseve të bëjnë pagesa elektronike në Euro, në mënyrë të sigurt, të lehtë, dhe efikase, duke ndjekur rregulla të njëjta ndërmjet vendeve anëtare. Megjithatë, sot zona gjeografike SEPA shtrihet edhe jashtë vendeve të BE-së.
Shqipëria u pranua zyrtarisht në Zonën e Vetme Europiane të pagesave SEPA në 21 nëntor 2024, duke u bërë, së bashku me Malin e Zi, dy vendet e para në rajonin e Ballkanit Perëndimor që aderojnë zyrtarisht në skemë./ZËRI