TIRANË- Komisioni i Ekonomisë është mbledhur këtë të mërkurë për miratimin e aktit normativ të rishikimit të buxhetit për vitin 2025, që u bë në dhjetor të vitit të kaluar. Akti normativ që parashikon edhe dhënien e shpërblimit për familjet me ndihmë ekonomike dhe invalidët, u miratua vetëm me votat e mazhorancës.
Deputeti socialist, Erion Braçe është përfshirë në një debat me ministrin e Financave, Petrit Malaj, duke kërkuar sqarime sa i përket kompensimit të të prekurve nga zjarret e verës. Braçe e ka pyetur Malajn nëse ky kompensim është përfshirë në aktin normativ të dhjetorit, duke nënvizuar se kjo gjë ishte njoftuar që në nëntr nga ministri i Bujqësisë, Andis Salla.
“A është parashikuar në aktin normativ të dhjetorit kompensimi i familjeve që u prekën nga ngordhja e bagëtive prej zjarreve në verë? Se ministri i Bujqësisë na ka thënë në nëntor që do të përfshihet në akt normativ”, pyeti Braçe ministrin e Financave.
Por, nga ana tjetër, ministri Malaj deklaroi se nuk ka pasur këkresë për të dëmshpërbluer qytetarët e dëmtuar nga zjarret e verës. Në përgjigje të deputetit socialit, Malaj bën me dije se është ngritur një komision që po vlerëson dëmet. Megjithatë, sipas tij, duhet parë kuadri ligjor nëse e mundëson dëmshpërblimin e tyre ose jo.
“S’ka kërkesë nga Ministria e Bujqësisë për të dëmshpërblyer qytetarët e dëmtuar nga zjarret e verës. Pra s’ka kërkesë për kompensim për bagëtitë e ngordhura nga zjarret gjatë verës. Është ngritur një komision që po vlerëson këto dëme, por duhet parë edhe kuadri ligjor nëse na e mundëson dëmshpërblimin e tyre”, ishte përgjigja e Malajt.
/ZËRI