TIRANË- Administrata publike në Shqipëri ka përjetuar një zgjerim të vazhdueshëm gjatë dekadës së fundit, duke u shndërruar në një nga çështjet më të debatueshme në raportin mes nevojës për shërbime publike dhe qëndrueshmërisë buxhetore. Pavarësisht rënies së popullsisë dhe dixhitalizimit të shërbimeve, numri i të punësuarve në sektorin shtetëror vazhdon të rritet nga viti në vit, sidomos në prag të proceseve zgjedhore.
Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, në vitin 2014 administrata publike numëronte rreth 163,885 të punësuar. Kjo shifër është rritur në 185,696 në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2023. Në tremujorin e parë të vitit 2024 u regjistrua një tjetër rekord me 185,387 punonjës në sektorin shtetëror, shifra më e lartë që nga viti 2018. Kjo rritje është mbajtur edhe në fillim të vitit 2025, me 185,400 punonjës të regjistruar në tremujorin e pare të këtij viti.
Por kjo rritje nuk lidhet me ndonjë zhvillim të ri demografik apo zgjerim të shërbimeve fizike në zyrat e administratës, përkundrazi, shërbimet publike tashmë janë të gjitha të dixhitalizuara. Kujtojmë se qeveria ka investuar 42 miliardë lëkë nga viti 2016 deri në vitin 2024, për platformën e-Albania.
Kjo rritje ndodh në një kontekst kur popullsia shqiptare është në rënie nga viti në vit dhe një pjesë e madhe e shërbimeve janë tashmë të automatizuara dhe të dixhitalizuara. Në teori, dixhitalizimi duhet të çonte në reduktim të nevojës për personel, por në praktikë ndodh e kundërta.
Sipas INSTAT, në 1 janar të vitit 2023, popullsia e vendit ishte 2,761.785 banorë dhe u zvogëlua në 1,1 % në krahasim më popullsinë e 1 janar, 2022. Piku më i lartë shfaqet në vitin 2022, ku u larguan nga vendi 46,460 rezidentë, ose 10 % më shumë se në vitin 2021. Po sipas INSTAT, çdo vit largohen nga vendi rreth 42,000 rezidentë shqiptarë, pra nga viti 2012 deri në vitin 2022, janë larguar nga Shqipëria plot 420,000 rezidentë.
Një element tjetër që bie në sy është fakti se punësimi në administratë rritet në mënyrë të ndjeshme në prag të zgjedhjeve. Kjo dukuri është konstatuar jo vetëm në vitin 2024, por edhe në ciklet zgjedhore të mëparshme, duke ngritur dyshime mbi motivet e rekrutimeve masive në administratë si mjet për përfitime elektorale.
Rritja e numrit të të punësuarve në administratën publike ka sjellë me vete edhe rritje të ndjeshme të kostove për buxhetin e shtetit. Buxheti i vitit 2024 parashikoi 119.8 miliardë lekë për pagat e sektorit publik, nga të cilat 39.1 miliardë lekë janë shtesë për të përballuar efektin e rritjes së pagave që hyri në fuqi nga 1 korriku 2024 dhe u zbatua plotësisht në 1 janar 2025. Pas çdo numri dhe statistike fshihen njerëz që presin shërbime të shpejta dhe efikase. A do t’u shërbejë administrata e zgjeruar atyre që kanë më shumë nevojë? Koha do ta tregojë./ZËRI