Aktualitet

Dhunoi për vdekje 80-vjeçarin se s'i dha birra, Prokuroria çon për gjykim Ilir Nukajn

Nukaj akuzohet për “Plagosje e rëndë me dashje”.  

I.F
Dhunoi për vdekje 80-vjeçarin se s'i dha birra, Prokuroria
Foto ilustruese

FIER- Prokuroria e Fierit ka çuar për gjykim Ilir Nukajn, i cili akuzohet se dhunoi brutalisht një çift të moshuarish në fshatin Povelçë më tetor të vitit 2024. Si pasojë e dhunës së shkaktuar, 80-vjeçari Namik Rustemi humbi jetën. Nukaj akuzohet për “Plagosje e rëndë me dashje”.  

"Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin I.N. për veprën penale ‘Plagosje e rëndë me dashje’ me pasojë vdekjen, në dëm të viktimës N.R. dhe për veprën penale ‘Plagosje e lehtë me dashje’ në dëm të viktimës A.R. parashikuar nga nenet 88/2 dhe 89 të Kodit Penal.

Nga hetimet e kryera në kuadër të procedimin penal nr.1591, të vitit 2024, rezultoi se më datë 12.10.2024, në fshatin “Hoxhare e Re” (Povelçë), Njësia Administrative Dërmenas, bashkia Fier, shtetasi I.N., për motive të dobta ka ushtruar dhunë fizike ndaj të moshuarve N.R. dhe A.R. (bashkëshortë), ku si pasojë e dhunës së ushtruar ka gjetur vdekjen njëri prej tyre, shtetasi N.R.

Çështja penale dërgohet për gjykim në ngarkim të shtetasit I.N., hetuar më masë sigurimi “Arrest në burg”.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër shëndetit", njofton Prokuroria.

Nukaj, goditi me grushta dhe shkelma 80-vjeçarin në kokë dhe në trup, pasi ai nuk i dha birra. Më pas filloi të godasë dhe 77-vjeçaren, por ishte fqinja ajo që dëgjoi të bërtiturat e të moshuarës dhe shkoi në vendngjarje, më pas thirri Policinë dhe ambulancën.

Por emri i Ilir Nukajt nuk është i panjohur për Policinë e Shtetit, pasi 47-vjeçari ka qenë i akuzuar dhe i dënuar 12 vite më parë për tentativën e një vrasjeje me paramendim. Në vitin 2012, ai kishte shkuar për të vjedhur në lokalin internet-kafe të Helio Çelës, e cila ndodhej ngjitur me banesën e tij. Nukaj ka thyer derën e dyqanit, por pronari Helio Çela ka dëgjuar zhurmë dhe ka dalë në oborrin e banesës së tij së bashku me të atin, Ferrik Çela. Në këtë moment, Nukaj ka tentuar t'i godasë me thikë, por babë e bir e neutralizuan. Por nuk u mbyll me kaq. Disa ditë pas kësaj ngjarjeje, Nukaj ka shkuar sërish në qendrën e internetit, kësaj herë për të luajtur, e po ashtu sërish është përplasur me pronarin, të cilin e plagosi me thikë. Gjithashtu, ai ka qenë edhe subjekt i OLF-së. Disa vite më parë, Nukajt, i njohur edhe me emrin e tij të dytë, Ledian, i është kërkuar vetëdeklarimi i burimeve të pasurisë. /ZËRI

Poll

MOS HUMB