
Urdhrat e Izraelit për zhvendosjen e palestinezëve nga Rafah janë çnjerëzore dhe rrezikojnë t'i ekspozojnë ata në rrezik dhe vështirësi të mëtejshme, tha sot Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, duke paralajmëruar se veprime të tilla ndonjëherë mund të përbëjnë një krim lufte. Izraeli nisi sulmet ajrore në Rafah sot dhe u tha palestinezëve që të evakuonin pjesë të qytetit, që ndodhet në Rripin jugor të Gazës, ku më shumë se një milion njerëz të çrrënjosur nga lufta shtatëmujore janë vendosur në tenda të improvizuara dhe shkolla të mbipopulluara.
"Populli i Gazës vazhdon të goditet nga bombat, sëmundjet dhe madje uria. Dhe sot, atyre u është thënë të lëvizin edhe një herë ndërsa operacionet ushtarake izraelite në Rafah përshkallëzohen," tha në një deklaratë Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët dh të Drejtat e Njeriut.
"Kjo është çnjerëzore”, shtoi ai.
Sulmet izraelite kanë rrafshuar pjesë të tjera të Gazës në atë masë sa nuk ka vend tjetër përveç Rafahut me infrastrukturë dhe burime për të akomoduar ata që tani janë vendosur atje, shtoi zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
Urdhri për zhvendosjen e civilëve është i ndaluar nga e drejta ndërkombëtare humanitare, shton deklarata, me vetëm disa përjashtime që i nënshtrohen kushteve të rrepta ligjore. Nëse këto kushte nuk plotësohen, veprime të tilla mund të përbëjnë një krim lufte ose zhvendosje të detyruar, tha ai./ZËRI