ITALI- 4 persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri në një spital italian.
Rreth dyqind persona janë evakuuar nga spitali Tivoli, në periferi të Romës, ku një zjarr i madh shpërtheu mbrëmjen e djeshme.
Pacientët, në varësi të problemeve dhe nevojave kritike, u shtruan në spitale të ndryshme të kryeqytetit. Zjarri duket se ka rënë në bodrumin e strukturës, duke përfshirë fillimisht morgun, më pas një pjesë të kuzhinave dhe katin e parë, por tymi i dendur është përhapur edhe në katet e sipërme. Të paktën një nga pacientët u gjet i vdekur për shkak të mungesës së oksigjenit.
Përveç tre viktimave që vdiqën nga zjarri, raportohet në mediat italiane se trupi i një personi të katërt është gjetur i pajetë dhe është dërguar në morg.
Prokuroria e Tivolit ka hapur një dosje hetimore në lidhje me zjarrin e ndodhur mbrëmjen e djeshme në spitalin San Giovanni Evangelista dhe që shkaktoi vdekjen e katër personave. Në trupat e viktimave është urdhëruar autopsi për të zbardhur shkaqet e vdekjes.
Dy prej personave dyshohet se kanë humbur jetën si pasojë e asfiksisë, një për shkak të arrestit kardiak, dhe viktima e katërt ende nuk konfirmohet shkaku i vdekjes.
Flakët janë shuar, por evakuimi i spitalit, i mbushur me tym, vazhdon ende. Rreth 150 pacientë tashmë janë transferuar ndërsa dyzet të tjerë janë ende brenda objektit.
Dhomat janë në katin -2 të spitalit dhe prej andej flakët do të kishin mbërritur në urgjencë dhe në reanimacion. Repartet e tjera nuk do të prekeshin, por tymi shumë i dendur pushtoi të gjithë spitalin dhe për këtë arsye ishte i nevojshëm evakuimi i të gjithë strukturës.
/Zëri