
MALI I ZI- Kuvendi zgjodhi sot paradite Qeverinë e 44-të të Malit të Zi. Për zgjedhjen e Qeverisë së re votuan 46 deputetë, kundër 19 dhe vetëm 1 abstenoi. Kryeministër është lideri i Lëvizjes Evropa Tani (PES) Milojko Spajiç. Ministrat nga PES janë: Filip Ivanoviç (Punë të jashtme), Maida Gorçeviç (Punë Evropiane), Angjela Jakshiç Stojanoviç (arsim, shkencë dhe inovacion), Novica Vukoviç (Financa), Filip Raduloviç (transport), Andrej Miloviç (Planifikimi hapësinor, urbanizmi dhe prona shtetërore), Vojislav Šimun (Shëndetësia), Naida Nishiç (Puna dhe kujdesi social) dhe Sasha Mujoviç (Energjia dhe miniera).
Presidenti i "Mali i Zi Demokratik", Aleksa Beçiç, është Zëvendëskryeministër për Sigurinë, Politikën e Brendshme, Çështjet Evropiane dhe të Jashtme dhe Momo Koprivica zëvendëskryeministër për Sistemin Politik, Drejtësinë dhe Kundër Korrupsionit. Dragan Krapoviç është ministër i Mbrojtjes, Vladimir Martinoviç është ministër i Turizmit, Ekologjisë dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm, ndërsa Tamara Vujoviç është Ministre e Kulturës dhe Mediave. Punët e Brendshme, i janë besuar Danilo Šraranoviç.
Në fakt ishte Boris Bogdanoviç, ai që ishte planifikuar të vendosjes në pozitën e ministrit të Brendshëm, por ai mbrëmë njoftoi se po tërhiqej për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të dy familjarëve të tij. Zëvendëskryeministri për Punë, Arsim, Shëndetësi dhe Çështje Sociale është Srđan Paviçeviç nga CIVIS. Sa i përket partive shqiptare, Nik Xheloshaj është zëvendëskryeministër për Politikat Ekonomike dhe Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Fatmir Xheka është ministër për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve dhe Marash Dukaj është Ministër i Administratës Publike.

Mëngjesin e sotëm Spajiç dhe ka marrë një dhuratë të pazakontë nga ish-kryeministri Dritan Abazoviç, menjëherë pas marrjes së detyrës gjatë dorëzimit të pushtetit. Krahas fotos së shtrëngimit të duarve me Spajiçin gjatë dorëzimit të detyrës, Abazoviç ka publikuar edhe një foto të tortës që i ka sjellë kryeministrit të ri.
Mbi tortë shkruhej: Paç fat dhe Mali i Zi gjithmonë të ketë sukses!
Por kush është Miljko Spajiç?
36-vjeçari është i diplomuar për Ekometri dhe Ekonomi Sasiore në Fakultetin e Shkencave Ekonomike në Universitetin e Shkencave Ekonomike Saitama në Japoni – ku kishte shkuar me bursë të qeverisë japoneze. Pas shkollimit, ai punoi në Tokio dhe Singapor, në korporatat bankare globale Citi Bank dhe Goldman Sachs, dhe më pas ai ishte partner i një fondi Venture Capital në Singapor, ndërsa angazhimi i tij politik do të fillonte vetëm para tri viteve.
Në vitin 2022, Spajiç dhe Milatoviç themeluan partinë politike “Evropa Tani (PES)”. Spajiç kishte tentuar që të kandidonte për President të Malit në Zi, në garën zgjedhore presidenciale të vitit 2023, kundrejt veteranit të politikës malazeze Milo Gjukanoviç, por kandidatura e tij ishte refuzuar nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor. Kjo pasi kishte nënshtetësi të dyfishtë, atë malazeze dhe serbe. Gjatë fushatës zgjedhore, ndaj tij do të kishte akuza nga Abazoviç dhe Ministri i Brendshëm Filip Adziç, për lidhje me “mbretin e kriptovalutave Do Kwon, i cili u arrestua në Mal të Zi në mars 2023. Do Kwon dërgoi një letër nga burgu i cili iu drejtua atij, Adiç-it, ministrit të drejtësisë Marko Kovaç dhe prokurorit kryesor Vladimir Novoviç, duke i informuar ata për lidhjet e tij me Spajiç-in. Ndërsa nga PES i mohuan këto akuza.
Në zgjedhjet e 11 qershorit PES fitoi rreth 25% të votave popullore, duke fituar shumicën e vendeve në Parlamentin e Malit të Zi. Derisa më 10 gusht 2023, Presidenti Jakov Milatoviç i dha Spajiç-it, si fitues i zgjedhjeve, mandatin për të formuar qeverinë e re./Zëri.ai