
RUMANI-Politikani nacionalist euroskeptik George Simion kryeson me një diferencë të madhe në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, i ndjekur nga kandidati centrist Crin Antonescu.
Me numërimin e votave pothuajse të përfunduara, kandidati i ekstremit të djathtë George Simion po rezulton edhe më mirë se sa kishin parashikuar sondazhet: ai pritet të fitojë raundin e parë me mbi 40% të votave.
Gara për të parë se kush do të sfidojë Simionin në balotazh ishte shumë e ngushtë: kandidati i pavarur Crin Antonescu, i mbështetur nga koalicioni qeverisës, e mbajti epërsinë për pjesën më të madhe të numërimit, por në fund u tejkalua lehtë nga kandidati tjetër pro-evropian, kryebashkiaku i Bukureshtit Nicușor Dan, i cili siguroi 20.7% të votave.
Numërimi i votave të diasporës po ecën më ngadalë. Në vend të katërt, me një diferencë të ndjeshme, u rendit një tjetër sovranist, Victor Ponta, me pak mbi 13% të votave.
Rumunët votuan dje në një përsëritje të zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar, pesë muaj pas anulimit të tyre për shkak të parregullsive. Në zgjedhjet e nëntorit, në raundin e parë fitoi kandidati i ekstremit të djathtë me retorikë pro-ruse, Călin Georgescu, i cili zhvilloi fushatën kryesisht përmes TikTok-ut./ZËRI