
KIEV- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se ishte i sigurt se Rusia do t'i shpallte luftë NATO-s nëse Donald Trump do reduktonte fondet amerikane për Aleancën e Atlantikut të Veriut. Zelenskyy pranoi se Trump ka aftësinë të bëjë presion ndaj presidentit rus drejt një marrëveshjeje armëpushimi, gati tre vjet pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës. Por, megjithatë e ka një paralajmërim.
"Mos i beso Putin (i drejtohet Trumpit). Ne besojmë se Putini do t'i shpallë luftë NATO-s,"- theksoi Zelenskyy në një intervistë që dha për rrjetin amerikan të lajmeve NBC, në margjinat e Konferencës së Sigurisë së Mynihut.
Presidenti ukrainas vlerësoi se Putini po pret me padurim një dobësim të NATO-s, diçka që mund të ndodhë nëse SHBA-ja tërhiqte mbështetjen e saj ushtarake në Evropë.
“Nuk e di nëse (rusët) do të duan 30% të Evropës, 50%, nuk e di. Askush nuk e di. Por me heqjen e mbështetjes ushtarake do ta kenë këtë mundësi,”- paralajmëroi Zelenskyy, ndërsa shtoi se ushtria ruse ka vendosur një numër të madh ushtarësh në territorin e Bjellorusisë.
Në të njëjtën kohë, duke iu referuar një projektmarrëveshjeje të dorëzuar nga Uashingtoni në Kiev për aksesin amerikan në mineralet ukrainase, Zelenskyy theksoi se marrëveshja nuk mund të nënshkruhet nëse Kievi nuk merr garancitë e sigurisë që kërkon nga SHBA.
Dje, të shtunën, presidenti ukrainas iu përgjigj negativisht propozimit të Uashingtonit për të shfrytëzuar mineralet kritike. Tre burime thanë se qeveria amerikane kishte propozuar marrjen në pronësi të 50% të mineraleve kritike të Ukrainës./ZËRI