Bota

'Serbia nuk do befasojë me veprime ushtarake', Vuçiç takon ministrin gjerman të Mbrojtjes

Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius deklaroi se duhet hetim për sulmin në Banjskë.

D.XH
'Serbia nuk do befasojë me veprime ushtarake',
Ministri gjerman Boris Pistorius dhe presidenti Aleksander Vucic

BEOGRAD – Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka zhvilluar një takim me ministrin gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorius. Vuçiç në takimin e tij deklaroi se Gjermania është një partner i rëndësishëm i Serbisë, në fushën ekonomike.

“Për ne si Serbi, Gjermania është partner shumë i rëndësishëm ekonomik”, tha Vuçiç. Ai shtoi se në vitin 2023, këmbimi total i mallrave me Gjermaninë ishte 9.13 miliardë euro. 

“Vendi i parë me të cilin kemi më tepër bashkëpunim ekonomik është Gjermania, vendi i dytë – Kina me 6.1 miliardë. Gjermania është deri tani partneri më i rëndësishëm ekonomik i Serbisë. Sa i përket shkëmbimit të shërbimeve, ai është në nivelin 1.7 miliardë. Në total janë diku rreth 11 miliardë, që flet për rëndësinë e Gjermanisë për Serbinë”, theksoi Vuçiç, duke shtuar se Serbia ka një prodhim të brendshëm bruto më të lartë se të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor së bashku.

Siç tha ai, kanë biseduar për stabilitetin në rajon, pavarësisht se kanë qëndrime të ndryshme për Kosovën. “E dhashë fjalën se Serbia nuk do të befasojë askënd as me ushtrinë e as me lëvizjet e saj. Fjala ime do të thotë më shumë se disa nga nënshkrimet që kam parë në rajon”, theksoi Vuçiç, duke shtuar se ata ranë dakord se stabiliteti dhe paqja janë të një rëndësie vendimtare për të gjithë në rajon dhe në Evropë.

Duke folur për Bosnjën dhe Hercegovinën, Vuçiç tha se Serbia e mbështet integritetin e saj territorial dhe se nuk e ka vënë kurrë në dyshim. “Ne do të mbështesim konsensusin e tre kombeve dhe Marrëveshjen e Dejtonit, jo interpretimin që na vjen në mendje”, tha ai.

“Gjermania është protagonistja kryesore e pavarësisë së Kosovës”

Ai po ashtu ka theksuar se Gjermania është protagonistja kryesore e pavarësisë së Kosovës. "Për atë çështje kemi dallime, por e dimë gjithashtu se dialogu është mënyra e vetme për zgjidhjen e problemit. Autoritetet tona do të vazhdojnë të hetojnë ngjarjet e 24 shtatorit, por ne gjithashtu kërkojmë që të bëhet një hetim brenda EULEX-it për tentativën e vrasjes së së paku shtatë serbëve, duke përfshirë dy fëmijë që u qëlluan për shkak se mbanin pemën e Krishtlindjes, apo tentative e vrasjes e Dragisha Galjakut”, theksoi Vuçiç, duke shtuar se “ne do të donim që standardet të barazoheshin”.

Ai tha gjithashtu se Beogradi ka komunikim të mirë me NATO-n, profesional, shumë të drejtë, dhe do të vazhdohet një bashkëpunim i tillë edhe në të ardhmen. Ai gjithashtu thekson se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është prioritet i Serbisë.

“Prishtina ndaloi paratë në mënyrë të paligjshme”

Presidenti serb iu referua edhe ngjarjes së sotme, kur automjeti që transportonte para për në Kosovë nuk u lejua të kalojë në vendkalimin administrativ të Jarinjes. “Sot Prishtina në mënyrë krejtësisht të kundërligjshme i ka ndalur paratë e destinuara për popullin tonë, duke u bazuar në faktin se është shtet sovran. Nëse është kështu, unë i pyes të gjithë partnerët tanë perëndimorë pse po na ftoni në dialog, çfarë kërkoni nga Serbia, nëse keni të drejtë për gjithçka? – pyeti Vuçiç. Siç tha ai, në çdo rast, është një situatë e vështirë për popullin serb dhe për këtë do të flasë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.

Vuçiç po ashtu tha se nuk ka marrëveshje për çështjen e heqjes së dinarit nga Kosova, duke treguar se Serbia, në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, konsideron se heqja e dinarit nga Kosova është krejtësisht e paligjshme dhe se nuk bëhet fjalë për ndonjë lloj dispozite kalimtare.

Sepse financimi i sistemit shëndetësor dhe shkollor është diçka që është pjesë e marrëveshjes së parë të Brukselit të 11 viteve më parë dhe çdo marrëveshje tjetër pas kësaj. Unë vetëm dua që ju ta dini këtë dhe nuk ka asnjë letër tjetër që tregon diçka ndryshe. Është një provokim i drejtpërdrejtë që askush nuk e kupton pse dikush po e bën atë, përveç spastrimit të plotë etnik të serbëve nga Kosova”, tha Vuçiç.

Ai gjithashtu tha se Serbia nuk ka pse të frikësohet dhe se është shumë e rëndësishme të respektohen rregullat dhe normat juridike ndërkombëtare. "Po ashtu, është e rëndësishme që të zvogëlohen ndërhyrjet në punët e brendshme të vendeve të tjera, sepse Serbia nuk ndërhyn në punët e brendshme të askujt", theksoi ai.

‘Putinin nuk e kam parë prej 2 vitesh’

Duke folur për marrëdhëniet me Rusinë, Vuçiç tha se është specifik për shkak të qëndrimit të Serbisë, Kartës së OKB-së, marrëdhënieve me Kosovën. “Prandaj, thashë se gjithçka thotë Pistorius për integritetin territorial të Ukrainës është e vërtetë. Ne në Serbi e dimë më së miri se si duket kur i mohon dikujt të drejtën për integritet territorial” – thotë Vuçiç. Ai shtoi se Serbia nuk e rrezikon në asnjë mënyrë bashkëpunimin me Ukrainën dhe se do të marrë pjesë në samitin e Tiranës. “Unë nuk e kam parë presidentin Putin për dy vjet, përveç një kohe shumë të shkurtër në samitin në Kinë”, tha Vuçiç, duke shtuar se “as nuk po fshehim asgjë dhe as nuk po bëjmë asgjë të paligjshme”. Vuçiç tha se Serbia është e pavarur dhe nuk merr urdhra as nga Uashingtoni dhe as nga Moska. 

“Gjermania po armatos Kosovën me armë mbrojtëse”

I pyetur për armatosjen e Prishtinës nga Gjermania, Pistorius tha se “Gjermania po armatos jo vetëm Kosovën, por edhe Serbinë dhe vendet e tjera si kontribut për stabilizimin e rajonit dhe për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të secilit vend”. Ai gjithashtu theksoi se Gjermania furnizon vetëm me armë mbrojtëse dhe jo sulmuese. Ai po ashtu tha se nga perspektiva gjermane “po flasim për shtetin sovran të Kosovës”.

“Ne e kemi njohur Kosovën, shtetet e tjera jo. Bëhet fjalë për një numër më të vogël shtetesh në botë. Është vendim i secilit vend, por pavarësisht nga çështja e njohjes së një vendi, kërkesa për këtë rajon duhet të jetë, kur kemi parasysh synimin tonë, stabilitetin në rajon si parakusht për qasje të përbashkët ndaj Bashkimit Evropian, marrëdhëniet e mira fqinjësore janë të rëndësishme këtu, dhe kjo duhet nga të dyja palët. Ky është parakushti bazë për stabilitet dhe asgjë nuk do ta ndryshojë këtë fakt”, tha Pistorius. Ministri gjerman tha se duhet hetim i thelluar për sulmin në Banjskë.

Në takimin e sotëm morën pjesë ministri i Mbrojtjes Millosh Vuçeviç, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Milan Mojsiloviç dhe përfaqësues të tjerë të Forcave të Armatosura, si dhe ambasadorja gjermane në Serbi Anke Konrad. Pistorius ka mbërritur në Beograd nga Sarajeva, ndërsa dy ditë më parë ka qëndruar edhe në Prishtinë, ku është takuar me zyrtarë të institucioneve të përkohshme të Prishtinës./ZËRI/

Poll

MOS HUMB