Bota

Vuçiç mohon përfshirjen e të birit në sulmin në Banjskë: Vetëm frikacakët sulmojnë familjen!

Në të gjithë reagimin e tij, Vuçiç sulmon Kurtin, edhe pse lajmin për lidhjen e Danilo Vuçiç me sulmin në Banjskë e bëri ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla. 

k.m.
Vuçiç mohon përfshirjen e të birit në sulmin
Aleksandër dhe Danilo Vuçiç

BEOGRAD- Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, mohoi se djali i tij, Danilo, është përfshirë në sulmin në Banjskë kundër policisë së Kosovës më 24 shtator. Me anë të një reagimi në Instagram, ku ka shpërndarë një foto me djalin e tij, presidenti serb shkruan se djali i tij nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen. Në të gjithë reagimin e tij, Vuçiç sulmon Kurtin, edhe pse lajmin për lidhjen e Danilo Vuçiç me sulmin në Banjskë e bëri ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla. 

"Sonte, Kurti akuzoi familjen time, Danilon tim, as ai vetë nuk e di se si erdhi deri në këtë pikë. E akuzon djalin tim se mori pjesë një sulm terrorist në Banjska. Karakteristika e parë e frikacakëve që vërehet çdo njeri është kur dikush sulmon familjet e të tjerëve, fëmijët, sepse ata gjithmonë duken si objektivat më të lehtë. Danilo, natyrisht, nuk ka të bëjë me asgjë, përveç se ai e do Serbinë dhe Kosovën si pjesë të saj. Ti e ke fyer vajzën time në mënyrën më pak burrërore që mundesh vetëm ti. Terroristi në Kosovë je vetëm ti, se ti e vret dhe terrorizon popullin serb, e mos u shqeteso pqr Danilon, ai është djali i ri, trim dhe kurrë nuk do të të ngjajë me ty,"-shkruan Vuçiç në postimin e tij.

Sot, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar një dokument personal të një serbi, që tha se janë gjetur pas sulmit ndaj policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator. Sipas Sveçlës, dokumenti i përket Millorad Jevtiçit që “njihet si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Danillo Vuçiç, djalit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç”.

Tensionet mes Prishtinës zyrtare dhe Beogradit janë shtuar pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku 30 persona të armatosur hapën zjarr mbi një patrullë të Policisë së Kosovës dhe lanë të vrarë rreshterin e PK, Afrim Bunjakun. Pas kësaj, Forcat Speciale të Kosovës rrethuan zonën dhe vranë tre agresorët, të tjerët u strehuan në manastirin e Banjskës. 6 agresorë u arrestuan. Si organizator të sulmit qeveria e Kosovës akuzon Beogradin, konkretisht nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiç. Ky i fundit sipas Policisë u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit. Radoiçiç e ka pranuar që ka qenë në krye të sulmit por duke thënë se qeveria serbe dhe institucionet nuk kishin dijeni për veprimet e tij. Ai u arrestua në Beograd dhe u la i lirë./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB