
SEUL- Një burrë në Korenë e Jugut ka rrëfyer se ka vrarë të dashurën e tij dhe e ka fshehur trupin e saj në çimento. Ngjarja u zbulua 16 vite pasi kishte ndodhur. Burri, i cili është rreth të 50-tave, i tha policisë lokale se e goditi gruan me një objekt të mprehtë gjatë një debati në banesën e tij në qytetin jugor të Geoje.
Sipas BBC, pasi e vrau, i futi trupin e pajetë në një valixhe dhe më pas e groposi nën një shtresë tullash dhe çimentoje në ballkonin e tij. Viktima mbeti atje pa u vënë re deri në muajin e kaluar, kur një punëtor zbuloi valixhen teksa po bënte punime në ballkon. Trupi - i cili ishte ruajtur pjesërisht nga valixhja - u identifikua përmes gjurmëve të gishtave. Autopsia zbuloi se ajo kishte vdekur nga një traumë e fortë në kokë.
Vrasësi, të cilin Policia e ka identifikuar vetëm si "zoti A.", nuk jetonte në banesë kur u zbulua trupi, por u gjet dhe u arrestua. Në rrëfimin e tij, ai i tha Policisë se kishte rreth 5 vite që jetonte me të dashurën e tij. Por gjatë një debati në tetor 2008, ai e qëlloi me një send të mprehtë në kokë. Gruaja - e cila ishte në të 30-at e saj në atë kohë - nuk u raportua e zhdukur nga familja e saj deri 3 vite pas vdekjes. Ata shkuan për ta kërkuar në Geoje, por vrasësi u kishte thënë se ishin ndarë dhe se ajo ishte larguar nga qyteti.
Nga ana tjetër "zoti A.", pasi kreu vrasjen, ai vazhdoi të jetonte në apartament edhe për 8 vite të tjera, e më pas u akuzua për trafik droge në vitin 2016. Që atëherë, pronari i banesës e kishte lënë shtëpinë bosh, duke e shfrytëzuar si depo. Misteri 16-vjeçar u zgjidh vetëm këtë vit kur pronari i godinës urdhëroi disa punime hidroizoluese./ZËRI