
PRISHTINË- Autoritetet kosovare ekstraduan javën e kaluar në Shtetet e Bashkuara një të dyshuar për vrasje të kryer 18 vite më parë, njoftoi të hënën ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.
“Javën e kaluar, ne e shfrytëzuam traktatin për ekstradim mes SHBA-së dhe Kosovës për ta dërguar një të pandehur nga Kosova në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me gjykim”, shkroi Hovenier në X.
Ai i falënderoi autoritetet kosovare për ndihmën që ia ofruan SHBA-së në këtë rast. Ahmet Gashi, 42 vjeç, u arrestua javën e kaluar dhe u dërgua në Shtetet e Bashkuara më 13 dhjetor si i dyshuar për vrasje dhe vrasje paramendim. Ai doli para gjykatës në Bronsk më 16 dhjetor, ndërsa seanca e radhës kundër tij do të zhvillohet më 16 janar 2025. Gashi dyshohet për vrasjen e Kemal Kolenoviç, një ish-boksier profesionist i peshave të mesme me prejardhje nga Mali i Zi, i cili ishte 28-vjeç në kohën e vdekjes më 31 dhjetor të vitit 2006.
Sipas hetimit, më 31 dhjetor 2006, Gashi kishte pasur një mosmarrëveshje dhe një përleshje fizike në restorantin dhe barin Moonlight në Bronks. Pasi ishte përzënë nga klubi i natës, Gashi e kishte vazhduar fjalosjen me njerëzit jashtë klubit dhe përsëri i ishte kërkuar të largohej. Gashi, sipas aktakuzës, hipi në makinën e tij të zezë, e tipit SUV, dhe përplasi Kemal Kolenoviç. Kolenoviç, një kalimtar, u hodh disa metra larg pasi u godit me makinë dhe vdiq nga plagët e marra. Gashi më pas ishte kthyer në Kosovë dhe u ekstradua në SHBA më 13 dhjetor 2024. /REL