
KOSOVË- Pas vrasjes së Liridona Ademajt, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, do të mbajë protestë me moton “nuk ka paqe pa sigurinë e grave”. Protesta pritet të nis në orën 18:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.
“Thërrasim në organizim dhe veprim të gjitha/ë anembanë Kosovës që të mblidhemi dhe të themi njëzëri që nuk ka paqe pa sigurinë e grave dhe të kërkojmë që dhuna e gjinizuar dhe femicidi të trajtohen si urgjencë kombëtare”, thuhet në njoftim.
Më herër një tubim është zhvilluar edhe në Tiranë me thirrjen “Drejtësi për Liridonën”. Me pankarta në duar dhe fotografi të Liridona Murselit, dhjetëra qytetarë kanë marshuar para Ambasadës së Kosovës në Shqipëri.
Qindra qytetarë tashmë kanë shkuar për të ngushëlluar familjen Ademaj për vdekjen e vajzës që la pas dy fëmijë të vegjël. Pjesë e ceremonisë së varrimit të Liridona Ademajt ishte edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Një grup fëmijësh ishin të veshur me bluza të bardha të stampuara para me foton e Liridonës dhe mbrapa me shkrimin “Drejtësi për Liridonën”, ndërsa mbanin në duar trëndafila të bardhë.