
ITALI- Zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në datën 5 Nëntor në SHBA, kanë tërhequr vëmendjen e të gjithë botës, përfshirë dhe Papa Françeskut. Ky i fundit në një reagim të pazakontë që ka bërë së fundi, është shfaqur i pakënaqur me dy kandidatët, ndërsa ka lëshuar kritika në drejtim të tyre, për qëndrimin që kanë mbajtur për emigrantët dhe abortin.
Kreu i Kishës Katolike kritikoi planin e ish-presidentit Trump për të dëbuar emigrantët, teksa nuk la pa dhënë një mesazh dhe për qëndrimin e Kamala Harris në lidhje me të drejtat e abortit.
Gjatë fluturimit të tij drejt Romës, pas përfundimit të vizitës 12 ditore në Azinë Lindore, Ati i Shenjtë e cilësoi një mëkat të rëndë mospritjen e emigrantëve, teksa për abortin përmendi fjalën vrasje.
Për këtë arsye ai lëshoi dhe një thirrje dhe për katolikët amerikanë që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 5 nëntorit në SHBA.
“Të mos votohet është e shëmtuar, nuk është mirë, ju duhet të votoni. Ju duhet të zgjidhni të keqen më të vogël. Kush është e keqja më e vogël? Zonja apo ai zotëria? Nuk e di. Të gjithë, në ndërgjegje, duhet të mendojnë dhe ta bëjnë këtë”, tha Papa Françesku./ZËRI