BRITANI- Pas një hetimi të gjatë nga policia Humberside, një grua britanike u dënua me 4 vjet burg dhe iu dha një urdhër ndalimi pasi u deklarua fajtore për kontrollin dhe dhunën brutale që ka ushtruar për 20 vite ndaj bashkëshortit të saj.
Projektuesi i IT, Richard Spencer i "East Yorkshire" zbuloi historinë e tij për Channel 5 në një dokumentar të quajtur "My ëife, My Abuse: The Secret Footage". Historia bëri bujë në mediat britanike si rast i rrallë i femrave që ushtrojnë dhunë ndaj meshkujve.
Në një çështje të quajtur "incidenca më e keqe e sjelljes kontrolluese dhe shtrënguese që kam parë" nga gjyqtarja Kate Rayfield, ish-shefja e burgut Sheree Spencer u dënua në shkurt 2023 pasi 43 imazhe të burrit të saj të mavijosur dhe të dhunuar u dorëzuan si provë, së bashku me pamjet nga brenda shtëpisë së familjes, të kapura në kamerën e dados. Gjykatësi gjithashtu vendosi edhe urdhër ndalimi ndaj saj.
Çifti jetonte në një shtëpi me gjashtë dhoma gjumi me tre vajzat e tyre. Gjatë dy dekadave, Richard iu nënshtrua skenave të tmerrshme të dhunës dhe abuzimit që përfshinte sulmin me një shishe vere, pështyrjen, grushtimin, goditjen dhe kërcënimin. Përpara se t'i çonte fëmijët e tij në shkollë dhe çerdhe, Spencer i mbulonte mavijosjet dhe plagët me produket kozmetike, në mënyrë që prindërit e tjerë të mos dyshonin për asgjë.
Nëna e tre fëmijëve u kap pasi telefonoi një mik të familjes, duke pretenduar se burri i saj ishte i dehur dhe se ajo kishte frikë se mund t'i bënte diçka. Kur ishte vetëm, Richard i zbuloi të vërtetën mikut të tij dhe me mbështetjen e tij, e raportoi incidentin në polici në vitin 2021 pas një thirrjeje që iu bë organeve të rendit nga një punonjës.
Abuzimi nuk ishte vetëm fizik dhe emocional, por edhe financa. Ajo i bënte presion Richardit që të merrte kredi për pushime dhe e 'dënonte' duke refuzuar të paguante pjesën e saj të faturave, shkruajnë mediat e huaja.
Në vitin 2015, familja bleu një kamerë për të vëzhguar fëmijët e tyre në dhomën e tyre të lojërave dhe zoti Spencer e përdori këtë për të regjistruar gjithë skenat e dhunës teksa gruaja ishte nën efektin e alkoolit, ndërsa e poshtëronte duke e fyer vazhdimisht me etiketime të tilla si: "i pavlerë", "memec".
Ish-punonjësja e burgut ka tentuar të ndalojë shfaqjen e dokumentarit. Ashtu si shumë viktima të dhunës në familje dhe abuzimit emocional, Spencer ka rrëfyer se kjo periudhë ka lënë një ndikim të madhe tek ai dhe familja e tij. Kontrolli dhe dhuna në familje shpesh mendohet se janë një krim gjinor, pasi shumica e rasteve përqendrohen rreth abuzimit nga meshkujt tek femrat.
Anketa e Krimit për Anglinë dhe Uellsin (CSEë) vlerësoi se 5,0% e të rriturve (6,9% gra dhe 3,0% burra) të moshës 16 vjeç e lart përjetuan abuzim në familje në vitin që përfundon në mars 2022. Kjo barazohet me 1,7 milionë gra dhe 699,000 burra. Nga ata që kanë përjetuar abuzim nga partneri, 84.3% kanë përjetuar abuzim jo fizik. Në vitin 2023, u raportuan norma më të larta të abuzimit në familje nga meshkujt. Rreth 1.4 milionë gra dhe 751,000 burra të moshës 16 vjeç e lart kanë përjetuar abuzim në familje në vitin që përfundon në mars 2023; një normë prevalence prej afërsisht 5.7% te femrat dhe 3.2% te meshkujt./ZËRI