
FILIPINE- Juan Jumalon, i njohur si DJ Johnny Walker është qëlluar për vdekje brenda studios së tij që kishte në shtëpi. Ngjarja e rëndë ka ndodhur kur Jumalon ishte në transmetim të drejtpërdrejtë në Facebook rreth orës 05:30. Mediat vendase shkruajnë se autori i kishte rënë derës dhe i kishte kërkuar gruas së DJ-t që të takonte Jumalon, pasi do t’i jepte një lajm të rëndësishëm në lidhje me programin e tij.
Pak minuta më vonë, u dëgjuan dhe të shtënat që e lanë të vdekur Jumalon. Gruaja e tij e dërgoi në spital, por gazetari nuk u rezistoi plagëve të marra. Presidenti Marcos Jr kërkoi që autori i sulmit të vihej para drejtësisë dhe të ndëshkohej.
Freedom House i ka cilësuar Filipinet si një nga vendet më të rrezikshme në botë për gazetarët. Jumalon është i katërti që ekzekutohet që nga qershori i vitit 2022, kur Marcos JR u vu në krye të vendit.