IZRAEL - Dy civilë u vranë në Izraelin verior të dielën pasi një raketë antitank e lëshuar nga Libani goditi shtëpinë e tyre në një qytet afër kufirit, thanë izraelitët.
Raketa goditi një shtëpi në qytetin Yuval në Izraelin verior, duke vrarë një burrë rreth të 40-tave dhe nënën e tij, e cila ishte në të 70-at, thanë burimet izraelite. Edhe pse Yuval është një nga më shumë se 40 qytetet përgjatë kufirit verior të evakuuar nga qeveria në tetor, media izraelite raportoi se familja qëndroi në zonë sepse punonte në bujqësi. Ndërkohë, Hezbollahu tha se sulmi kishte në shënjestër një forcë ushtarake izraelite dhe shkaktoi vdekje dhe plagosje.
Më shumë se 115,000 izraelitë janë evakuuar nga Izraeli verior, për shkak të tensioneve të vazhdueshme. Në Izrael, 12 ushtarë dhe shtatë civilë kanë vdekur nga lëshimi i raketave nga Libani dhe më shumë se 170 u plagosën, ka raportuar Associated Press. Hezbollahu ka raportuar se të paktën 150 luftëtarë dhe 20 civilë janë vrarë në shkëmbimet e zjarrit. Dhjetëra e mijëra libanezë janë zhvendosur gjithashtu në anën libaneze të kufirit.
Që nga tetori, mbi 2,000 raketa dhe 350 dronë janë lëshuar nga Libani, sipas Izraelit./ZËRI/