
SHBA- Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka reaguar pasi u shpall fajtor për falsifikim të dokumenteve të biznesit. Në një konferencë për media të premten ish-presidenti ka thënë se vendimi që ai të shpallej fajtor për falsifikim të dokumenteve të biznesit, “është bërë nga presidenti aktual Joe Biden dhe njerëzit e tij”.
“Për sa i përket vetë gjyqit, ishte shumë i padrejtë. Ne nuk na lejuan të përdornim ekspertin tonë zgjedhor në asnjë rrethanë. E patë se çfarë ndodhi me disa nga dëshmitarët që ishin në anën tonë, ata u kryqëzuan nga ky njeri”, tha ai.
Ai pretendon se gjyqtari “nuk do të na lejonte të kishim dëshmitarë, nuk do të na lejonte të flisnim, nuk do të na lejonte të bënim asgjë.
“Gjyqtari ishte një tiran. Ne e pamë këtë me Bob Costello.”-tha Trump.
Donald Trump u bë ish-presidenti i parë që u dënua për vepra penale të enjten pasi një juri në Nju Jorkut e shpalli atë fajtor për falsifikimin e dokumenteve për të fshehur një pagesë në këmbim të heshtjes së një aktoreje të filmave pornografikë, përpara zgjedhjeve të 2016-ës./ZËRI