KOSOVË- Në Prishtinë është zhvilluar “Marshi për Liri”, një tubim në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
Në mesin e folësve ishte edhe Lirjona Sylejmani, vajza e dëshmorit Bajram Sylejmani e cila në fjalën e saj solli në vëmendje përvojën personale të rritjes pa babanë, por edhe krenarinë për sakrificën e familjes së saj.
Sylejmani tha se mungesa e të atit ka qenë një dhimbje e përhershme, ndërsa kujtimi dhe sakrifica e tij kanë qenë njëkohësisht burim krenarie për familjen.
“Unë, çika e Bajramit u rrita me një mungesë që nuk u plotësua kurrë. U rrita me mungesën e babait. Krahas dhimbjes u rrita me krenarinë se familja ime i dha vendit dy heronj, babin dhe xhaxhain,”tha ajo.
Duke folur për proceset gjyqësore në Hagë, ajo tha se në këtë periudhë, sipas saj, po trajtohet një pjesë e rëndësishme e historisë së Kosovës.
“Sot po gjykohet pjesa më e ndjeshme e historisë, sot po tentohet të ndryshohet e vërteta, ani pse ne nuk kemi sulmuam askënd, ani pse ne nuk dhunuam gra e fëmijë, ani pse ne luftuam agresorin që synonte asgjësimin e popullit shqiptar,”tha Lirjona Sylejmani.
Në fjalimin e saj, Sylejmani kërkoi drejtësi për ish-pjesëtarët dhe drejtuesit e UÇK-së që po përballen me proceset në Hagë.
“Unë dua drejtësi për çlirimtarët,” ka deklaruar Sylejmani.
Ajo e përmbylli fjalën me një thirrje për unitet, duke theksuar nevojën që çështjet që lidhen me vendin të vendosen mbi interesat individuale dhe politike.
“Kosova nuk ka nevojë për më shumë mure mes nesh, ka nevojë për një urë që na bën të kuptojmë se interesi për atdheun duhet të kalojë çdo interes personal e partiak” perfundoj ajo.
Në “Marshin për Liri” foli edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati.
Gucati tha se tubimi nuk kishte për qëllim mbrojtjen e individëve, por, sipas tij, mbrojtjen e së vërtetës historike dhe kërkesën për një proces të drejtë.
“Sot nuk jemi mbledhur këtu për të mbrojtur individin, por për të mbrojtur të vërtetën e një populli. UÇK-ja nuk e krijoi shtypjen, ajo i bëri ballë asaj,” tha Hysni Gucati.
Ai kërkoi që procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së të zhvillohet në mënyrë të drejtë dhe të paanshme.
“Ne kërkojmë një proces të drejtë e paanshëm. Liria e Kosovës u fitua me sakrificë, asnjë sallë gjyqi nuk mund ta ndryshojë këtë të vërtetë,” tha ai./ZËRI