Bota

U kapën me 585 kilogramë kokainë, dënohen me burg përjetë 5 fierakët, 4 prej tyre të së njëjtës familje

Kreu i grupit, ka thënë se ata kanë qenë transportues të thjeshtë, dhe nuk e dinin që pakot ishin me kokainë

E.K
U kapën me 585 kilogramë kokainë, dënohen me burg
kokaina e sekuestruar dhe pamje nga shoqerimi i te arrestuarve ne gjykate

GREQI- Gjykata e Apelit në Selanik ka dhënë dënim me burg përjetë për 4 shqiptarë, 4 prej të cilëve kanë lidhje familjare mes tyre.

Gjykata dënoi kreun e grupit Arjan Xhafaj, nga Cakrani i Fierit, bashkëshorten e tij Lutmira Xhafaj 43-vjeçe, pronare e një bar-kafe në Cakran, edhe dy nipërit e 52-vjeçarit, Avelino Feimi dhe Klevis Muskaj, si edhe një 36-vjeçari Ilirian Baraj, i cili ka nënshtetësi greke, por me origjinë shqiptare. Ata u vunë në pranga vitin e kaluar, pasi u kapën me një sasi prej 585 kg kokainë në Selanik.

Kjo ishte sasia më e madhe e kokainës e që ishte kapur ndonjëherë në Selanik. Droga dyshohet se ishte sjellë nga vendet e Amerikës Latine, ndërkohë që llogaritej të kishte një vlerë në treg nga 11 deri në 33 milionë euro.

Me përjashtim të 43-vjeçares, i cila mohoi akuzat, shqiptarët e tjerë rrëfyen përfshirjen e tyre, por theksuan se menduan se në pakot kishte hashash.

Gjithashtu deklaruan se ata vetë ishin transportues të thjeshtë dhe se drogën do ta linin të “mbyllur” në dy shtëpi, ku do ta merrte një person tjetër, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur.

“Nëse do ta dija se ishte kokainë, do të isha larguar. Mendova se ishte hashash”, tha 52-vjeçari, duke deklaruar se kishte punuar për 18 vjet si zjarrfikës në Shqipëri.

Operacioni për kapjen e drogës

Policia greke në bashkëpunim me DEA Amerikane sekuestroi më 26 Shtator 2023, gjatë një operacioni antidrogë, 585 kg kokainë në Selanik.

Policia greke fillimisht ka ndaluar në Selanik një automjet i cili rezultonte i marrë me qira, drejtues i të cilit ishte 21-vjeçari nga Cakrani i Fierit, Klevis Muskaj.

Në mjetin e tij policia greke sekuestroi 239 pako me 280 kg 758 gram kokainë. 10 minuta më pas, është tentuar të ndalohet një tjetër mjet në zonën e “Neous Epibates”. Drejtuesi i mjetit, në tentativë për t’u larguar, përplasi një mjet policia dhe më pas u përplas me rrethimin e një shkolle.

Ai u identifikua si Avelino Feimi, 33 vjec, nga Vlora. Dy drejtuesit e mjeteve, janë nipërit e Arjan Xhafajt.

Policia greke vijoi me kontrollin në banesën e Xhafajt, ku u sekuestruan 23 pako me 26 kg 701 gram kokainë, 1 dedektor metalesh, 12 çanta IKEA, 1 prerës metalik, 1 pako doreza njëpërdorimshe, 1 palë gërshërë profesionale.

Në banesë veç tij dhe bashkëshortes, u arrestua edhe Ilirian Baraj, 35 vjeç nga Fieri, me shtetësi greke.

Gjatë kontrollit trupor të të arrestuarve, u gjetën dhe sekuestruan 7440 euro, 7 celularë, 4 karta bankare dhe shënime dore.

Poll

MOS HUMB