
TURQI- Të gjithë punonjësit e personelit publik në Turqi, do ta kenë të ndaluar përdorimin e automjeteve që prodhohen jashtë vendit, si një masë për të nxitur rritjen ekonomike në vend. Vendimi është bërë publik nga ministri i Thesarit dhe Financave, Mehmet Shimşek i cili tha se personeli publik do të përdorë automjete "Made in Turkey", TOGG.
Ministri i Thesarit dhe Financave Mehmet Shimşek deklaroi se përveç ndalimit të blerjes së automjeteve të huaja do të reduktohet edhe numri i automjeteve publike. E njëjta masë do të vlejë edhe për mjetet e transportit publik në Turqi.
"Ne po ndalojmë blerjen dhe dhënien me qira të automjeteve të reja në sektorin publik për 3 vjet. Do të ndalohet përdorimi i automjeteve të prodhimit të huaj, përveç atyre të lejuara me ligj. Gjithashtu, do të jetë subjekt rinovimi i kontratave ekzistuese të automjeteve me qira. Automjetet që kanë tepricë të kërkesave dhe kanë përfunduar “jetën” e tyre ekonomike, do të likuidohen me shërbimin e personelit në sektorin publik, përveç mbrojtjes dhe sigurisë", u shpreh ministri Shimşek.
Si rezultat i këtyre vendimeve, del në pah një mision tjetër i rëndësishëm për Grupin e Ndërmarrjeve Automobilistike të Turqisë (TOGG). Tani pritet që detyrat në TOGG të rriten edhe më shumë.