Bota

Trump zgjedh "krushkun" për ambasador në Francë

Trump e përshkroi Charles Kushner si një lider shumë të suksesshëm, filantrop dhe tregtar, me përvojë të madhe në industrinë e pasurive të paluajtshme.

k.m.
Trump zgjedh "krushkun" për ambasador në Francë
Charles Kushner

SHBA- Donald Trump ka zgjedhur babain e dhëndrit të tij Jared Kushner, Charles Kushner, për të shërbyer si ambasadori i ardhshëm i SHBA në Francë. Trump e përshkroi Charles Kushner si një lider shumë të suksesshëm, filantrop dhe tregtar, me përvojë të madhe në industrinë e pasurive të paluajtshme.

“Kam kënaqësinë të emëroj Charles Kushner, nga New Jersey, për të shërbyer si ambasador i SHBA-së në Francë. Ai është një udhëheqës i jashtëzakonshëm biznesi, filantrop dhe tregtar, i cili do të jetë një avokat i fortë që përfaqëson vendin tonë dhe interesat tona,”- shkroi Trump në një postim të Truth Social.

Presidenti i zgjedhur gjithashtu vuri në dukje lidhjen me Jared Kushner, i cili është i martuar me vajzën e Trump, Ivanka.

“Djali i tij, Jared, ka punuar ngushtë me mua në Shtëpinë e Bardhë, veçanërisht në Operacionin Warp Speed, Reformën e Drejtësisë Penale dhe Marrëveshjet e Abrahamit,”- shkroi Trump në postimin e tij.

Njoftimi i Trump vjen pasi Jared Kushner ka thënë se nuk ka në plan të shërbejë në administratën e dytë të presidentit të zgjedhur. Kushner tha në një ngjarje në Miami në shkurt se ai ka qenë "shumë i qartë" në dëshirën e tij për t'u fokusuar në firmën e tij private "në këtë fazë" të jetës së tij.

Kushner, megjithatë, shihet si thelbësor në përpjekjet e administratës së ardhshme në Lindjen e Mesme, edhe pse ai nuk ka gjasa të ndërmarrë një rol formal në mandatin e dytë të Trump. Që kur Trump u largua nga detyra në vitin 2021, Kushner dhe gruaja e tij, Ivanka Trump, janë zhvendosur në Miami dhe janë larguar kryesisht nga politika. Kushner themeloi një fond investimi, "Affinity Partners", pak pasi u largua nga Uashingtoni. Gjatë mandatit të parë të Trump, Kushner u morr me emigracionin, marrëdhëniet me Kinën, Lindjen e Mesme dhe politikat e Shtëpisë së Bardhë gjatë pandemisë së koronavirusit./ZËRI

Poll

MOS HUMB