
SHBA-Presidenti Donald Trump ka shpallur taksa të reja tregtare prej 25% për makinat që importohen në SHBA. Trump tha se tarifat e fundit do të hyjnë në fuqi më 2 prill, me mbledhjen që do të fillojë të nesërmen.
Presidenti i SHBA pretendoi se masa do të çonte në "rritje të jashtëzakonshme" për industrinë e makinave, duke premtuar se do të nxiste vende pune dhe investime në SHBA.
Analistët kanë thënë se masa do të rrisë çmimet, duke goditur markat si Toyota dhe Hyundai, dhe do të tensionojë marrëdhëniet me aleatët, duke përfshirë Japoninë, Korenë e Jugut dhe Gjermaninë. Meksika është furnizuesi kryesor i huaj i makinave në SHBA, e ndjekur nga Koreja e Jugut, Japonia, Kanadaja dhe Gjermania.
Teksa shprehu keqardhjen për këtë vendim, presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen pohoi “BE do të vazhdojë të kërkojë zgjidhje të negociuara, duke ruajtur interesat e saj ekonomike” dhe duke përsëritur se tarifat janë taksa të këqija për bizneset dhe për konsumatorët si në Shtetet e Bashkuara dhe në BE.
“Industria e automobilave është një shtytës i inovacionit, konkurrencës dhe punëve me cilësi të lartë, përmes zinxhirëve të furnizimit të integruar në të dy anët e Atlantikut. Siç e kam thënë më parë, tarifat janë taksa të këqija për bizneset, më keq për konsumatorët njëlloj në SHBA dhe Bashkimin Evropian. Tashmë do ta vlerësojmë këtë njoftim, bashkë me masat e tjera që SHBA parashikon në ditët në vijim. BE-ja do të vazhdojë të kërkojë zgjidhje të negociuara, duke ruajtur interesat e saj ekonomike. Si një fuqi e madhe tregtare dhe një komunitet i fortë prej 27 shtetesh anëtare, ne do të mbrojmë së bashku punëtorët, bizneset dhe konsumatorët tanë në të gjithë Bashkimin tonë Evropian.”, thuhet në deklaratën e Von der Leyen.
Sipas Trump, tarifat doganore reciproke ndaj vendeve përgjegjëse për deficitin tregtar të Shteteve të Bashkuara, të cilat do të vendosen duke filluar nga 2 prilli, “dita e çlirimit”, do të balancojnë taksat e aplikuara nga vendet e tjera për mallrat amerikane. Evropa ka përgatitur tashmë një paketë masash me vlerë 26 miliardë dollarë, pasi Shtetet e Bashkuara goditën çelikun dhe aluminin, e cila do të zbatohet nga 12 prilli. Efektet po ndihen tashmë, edhe në Itali: kërcënimi i tarifave 200% vetëm për verën ishte i mjaftueshëm për të paralizuar sektori, me dërgesat e bllokuara, restorantet në vështirësi dhe miliona shishe të ngecur në porte./ZËRI