
SHBA- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se dëshironte një "marrëveshje të vërtetë" për t'i dhënë fund problemit bërthamor me Iranin dhe la të kuptohej se mund të dërgojë zyrtarë të lartë amerikanë për t'u takuar me Republikën Islamike, ndërsa lufta ajrore Izrael-Iran vazhdon për të pestën ditë radhazi.
Trump tha se “nuk kishte thënë që po kërkonte një armëpushim” dhe se dëshiron që Irani të heqë dorë plotësisht nga zhvillimi i kapaciteteve bërthamore.
Ai shtoi gjithashtu se nuk mendon që Izraeli do të ngadalësojë ofensivën e tij kundër Iranit. “Do ta shihni gjatë dy ditëve të ardhshme. Do ta shihni. Askush nuk është ngadalësuar deri tani”, u shpreh ai. Trump gjithashtu premtoi se do të “veprojë ashpër” ndaj Iranit, nëse interesat amerikane në rajon do të goditen./ZËRI