WASHINGTON- Shtëpia e Bardhë kërkoi të martën 152 milionë dollarë për të rihapur ish-burgun e Alcatrazit, duke iu përgjigjur kërkesës së Presidentit Donald Trump një vit më parë për ta shndërruar ishullin në një instuticion të vuajtjes së dënimit. Sot, ishulli i vogël është një destinacion i njohur turistik në Gjirin e San Franciskos.
Kërkesa ishte pjesë e propozimit të buxhetit që Shtëpia e Bardhë publikoi për të financuar qeverinë për vitin fiskal 2027. Kërkesa të tilla për shpenzime zakonisht trajtohen nga ligjvënësit në Kongres si propozime. Buxheti kërkon fonde për Byronë Federale të Burgjeve për të mbuluar vitin e parë të punës për rindërtimin e Alcatraz në një "burg të sigurisë maksimale". Alcatraz u mbyll në vitin 1969 dhe menaxhohet nga Shërbimi i Parqeve Kombëtare.
Majin e kaluar, presidenti amerikan njoftoi në mediat sociale se po i drejtonte Byrosë së Burgjeve, Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së dhe autoritete të tjera që të "rihapnin një Alcatraz dukshëm më të madh dhe të rinovuar për të strehuar shkelësit më të pamëshirshëm dhe të dhunshëm të Amerikës".
Alcatraz, i cili u hap në vitin 1934, ishte konsideruar burgu më i sigurt i Amerikës duke pasur parasysh vendndodhjen e tij në ishull, ujërat e akullta dhe rrymat e forta.
Zyrtarisht nuk u regjistrua asnjë arratisje e suksesshme, megjithëse pesë të burgosur u raportuan si "të zhdukur dhe u supozua se u mbytën". Përpara mbylljes së tij, ai ishte shtëpia e kriminelëve famëkeq si Al Capone dhe James "Whitey" Bulger.
Byroja e Burgjeve deklaron në faqen e saj të internetit se u mbyll sepse ishte shumë e shtrenjtë për të vazhduar funksionimin, duke vënë në dukje se kostot e tij operative janë pothuajse tre herë më të larta se ato të çdo burgu tjetër federal./ZËRI