
SHBA- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka zgjatur me 75 ditë afatin e TikTok në vend, duke i dhënë afat kompanisë mëmë që të shesë asetet, ose të përballet me mbyllje.
“Ne nuk duam që TikTok të të mbyllet. Ne mezi presim të punojmë me TikTok dhe Kinën për të arritur një marrëveshje”, shkroi presidenti në Truth Social. Platforma aktualisht është në pronësi të kompanisë kineze ByteDance. Zgjatja e parë e Trump hyri në fuqi në janar dhe ishte caktuar të skadonte të shtunën.
Platforma e mediave sociale, e cila ka 170 milionë përdorues në SHBA, fillimisht u mbyll për disa orë përpara se Trump të merrte detyrën, ndërsa aplikacioni përgatitej të mbyllej në SHBA për shkak të një ligji të miratuar nga Kongresi.
Një ligj i miratuar nga Kongresi vitin e kaluar detyron kompaninë mëmë kineze të TikTok, ByteDance, të shesë aplikacionin. Platforma u “ndalua” për një ditë në janar në SHBA pasi ligji hyri në fuqi, derisa Trump ndërhyri dhe e shtyu ndalimin deri më 5 prill. Qeveria amerikane ka thënë se TikTok përbën një kërcënim për sigurinë kombëtare sepse autoritetet kineze mund të kenë akses në sasinë e madhe të të dhënave të përdoruesve, akuza këto që Pekini i mohon.
“Marrëveshja kërkon më shumë punë për të siguruar nënshkrimin e të gjitha miratimeve të nevojshme”, shtoi Trump.
Presidenti ka thënë se administrata e tij ishte në kontakt me katër grupe të veçanta të interesuara për një marrëveshje të mundshme për blerjen e TikTok, megjithëse ai nuk i ka përmendur ato./ZËRI