Bota

Tragjedia ajrore me 67 viktima në SHBA, nxirren të gjitha trupat e viktimave nga lumi

Autoritetet amerikane konfirmuan se tashmë janë gjetur dhe trupat e 67 viktimave dhe po identifikohen.

I.F
Tragjedia ajrore me 67 viktima në SHBA, nxirren të gjitha trupat e
Pamje nga vendngjarja

UASHINGTON- Ekipet amerikane të kërkimit kanë gjetur trupat e 67 personave që humbën jetën javën e kaluar në një aksident ajror, pasi një avion u përplas me një helikopter ushtarak mbi Uashington dhe dy avionët u rrëzuan në ujërat e akullta të lumit Potomac. Ditët e fundit, ekipet e kërkimit kanë vazhduar të kërkojnë në ujërat e akullta të lumit për të gjetur të gjitha viktimat e fatkeqësisë më të rëndë ajrore në SHBA që nga viti 2001.

Të gjithë 64 personat në bordin e dy avionëve, 60 pasagjerët dhe 4 anëtarët e ekuipazhit në aeroplanin e pasagjerëve të American Airlines dhe ekuipazhi prej 3 anëtarësh në helikopterin ushtarak u vranë. Autoritetet amerikane konfirmuan se tashmë janë gjetur dhe trupat e 67 viktimave dhe po identifikohen.

“Ne jemi pranë dhe do të bëjmë çdo gjë për të ndihmuar familjet e viktimave”, thuhet në deklaratë.

Ku janë fokusuar kërkimet?

Ekipet e kërkimit janë fokusuar tani në rikuperimin e mbeturinave të mbetura në lumin Potomac. Operacionet për të rikuperuar rrënojat e dy avionëve që u rrëzuan në lumë, pak larg nga Aeroporti Kombëtar i Uashingtonit, Ronald Reagan, nisën të hënën.

Të ashtuquajturat kuti të zeza të avionit të pasagjerëve po analizohen nga ekspertë të Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit të SHBA-së (NTSB), i cili synon të nxjerrë një përfundim paraprak mbi shkaqet e aksidentit “brenda 30 ditësh”. Sipas New York Times, kulla e kontrollit në aeroportin Ronald Reagan kishte mungesë të personelit natën e aksidentit, më 29 janar.

Vetëm një kontrollues i trafikut ajror, në vend të dy, që zakonisht ishin në detyrë, po monitoronte lëvizjen e avionëve dhe helikopterëve në sektorin jashtëzakonisht të ngarkuar të hapësirës ajrore të Uashingtonit./ZËRI

Poll

MOS HUMB