SOFJE- Bullgarët do të zgjedhin sot qeverinë e re. Qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 të mëngjesit dhe pritet të mbyllen në orën 17:00, ndërsa sondazhet e para të daljes nga kutitë e votimit do të publikohen menjëherë pas mbylljes.
Zgjedhjet e reja vijnë pas rrëzimit të qeverisë së mëparshme të udhëhequr nga konservatorët, pas protestave të mëdha kundër korrupsionit. Në dhjetor, qindra mijëra qytetarë, kryesisht të rinj, dolën në rrugë duke kërkuar një sistem gjyqësor të pavarur dhe fundin e korrupsionit të përhapur. Që prej vitit 2021, Bullgaria ka kaluar një seri qeverish të paqëndrueshme, ku asnjë kabinet që nuk ka arritur të zgjasë më shumë se një vit.
Një figurë qendrore në fushatë është ish-presidenti Rumen Radev, i cili ka dhënë dorëheqjen nga posti presidencial për të hyrë në politikën aktive si kandidat për kryeministër. Ai ka deklaruar se synon të “çlirojë vendin nga modeli oligarkik i qeverisjes” dhe ka mbështetur protestat kundër korrupsionit.
Radev është shprehur gjithashtu pro rivendosjes së marrëdhënieve me Rusinë dhe kritik ndaj ndihmës ushtarake të Bullgarisë për Ukrainën, duke nxitur debate të forta brenda vendit dhe në Bashkimin Evropian.
Bullgaria është anëtare e Bashkimit Evropian me rreth 6.5 milionë banorë, e cila ndodhet prej vitesh mes tensioneve politike dhe orientimeve të ndryshme gjeopolitike./ZËRI