SHBA – Tensione në Këshillin e Sigurisë në OKB. Fjala e kreut të OKB-së Antonio Gueterres, nuk u mirëprit nga ambasadori izraelit, që e kundërshtoi atë.
Gueterres në fjalën e tij akuzoi ndër të tjera Izraelin, se me ndërhyrjen në Gaza dhe sulmet në enklavë, ka shkelur ligjin ndërkombëtar të luftës.
“Në çdo konflikt të armatosur, mbrojtja e civilëve është parësorë. Të mbrosh civilët, nuk nënkupton që të urdhërosh mbi 1 milionë njerëz të shkojnë në jug të një territori. Në zonë nuk ka ujë, nuk ka strehë, nuk ka ushqim, nuk ka karburant. Sikur të mos mjaftonte kjo, enklava edhe bombardohet ditë e natë, duke mos pasur siguri”, nisi fjalën e tij Gueterres.
Ai shtoi tonet ndaj Izraelit, duke thënë se ka mbajtur nën robëri popullin palestinez për 56 vite. Gueterres dënoi sulmet e Hamasit dhe të Izraelit.
“Ai popull ishte i shtypur, për 56 vite. Mund të them se sulmi i Hamasit nuk ishte rrufe në qiell të hapur. Ishte edhe rebelimi palestinez, për faktin se kanë jetuar nën pushtim gjatë gjithë kohës dhe nuk kanë ende një zgjidhje politike. Por, sulmi i Hamasit, më lejoni ta them këtu ishte qartësisht i tmerrshëm. Edhe sulmet e Izraelit nuk janë në të drejtën humanitare dhe as në kornizat e ligjeve të luftës”, deklaroi Gueterres.
Fjalët e numrit 1 të OKB-së, duket se nuk i kanë pëlqyer ambasadorit izraelit, Gilad Erdan. Ai tha se Gueterres flet, në një kohë, që nuk njeh situatën në terren në rajon.
“Deklaratat e Gueterres janë të rënda dhe fyese, duket se nuk njeh situatën e rajonit. Fjalët që ai po përdor nuk tregojnë aspak respekt për popullin izraelit. Komentet e tij përbëjnë justifikim për terrorizmin dhe vrasjen. Unë i kërkoj Gueterres të japë dorëheqjen menjeherë”, tha Erdan.
Ndërsa, në OKB foli edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Ai tha se Irani nuk mund të sulmojë Izraelin dhe as miqtë e shtetit izraelit, pasi do të ketë përgjigje të ashpër.
Hamasi sulmoi Izraelin, ndërsa përgjigja ishte e menjëhershme. Më tepër se 7100 njerëz kanë vdekur, nga sulmet e të dyja palëve./Zëri.ai/