
TOKIO- Dhomat janë të mbushura me banorë të moshuar, me duar të rrudhura dhe me shpinë të përkulur. Ato lëvizin ngadalë nëpër korridore, ku punëtorët i ndihmojnë të lahen, të hanë, të ecin dhe të marrin ilaçet e tyre. Por ky nuk është një azil pleqsh – është burgu më i madh i grave në Japoni. Popullsia këtu pasqyron shoqërinë e plakur dhe problemin e vetmisë. Aq sa shumë gra preferojnë që të shkojnë në burg.
"Ka edhe njerëz që thonë se do të paguajnë 20,000 ose 30,000 jen (130-190 dollarë) në muaj (nëse munden) të jetojnë këtu përgjithmonë,"-tha Takayoshi Shiranaga, një oficer në burgun e grave 'Tochigi' që ndodhet në veri të Tokios. CNN takoi Akiyo, një e burgosur 81-vjeçare me flokë të shkurtër gri dhe duar të mbushura me njolla moshe. Ajo po vuante dënimin për vjedhje ushqimesh në dyqan.
Por pse shkojnë në burg?
Brenda të dënuarit konsumojnë vakte të rregullta, kujdes shëndetësor falas dhe kujdes për të moshuarit – madje dhe shoqëri. Për më tepër që në burgje të gjitha këto "komoditete" i kanë falas.
Në të gjithë Japoninë, numri i të burgosurve të moshës 65 vjeç e lart pothuajse u katërfishua nga viti 2003 në 2022. Autoritetet e kanë kuptuar se përse ka ndodhur një fenomen i tillë. Madje në një raport të vitit 2021 u zbulua se të moshuarve që iu ofrua përkujdesje sociale pasi kishin dalë nga burgu nuk kryen shkelje të tjera. Ndaj Ministria e Mirëqënies ka rritur përpjekjet për të mbështetur më mirë të moshuarit.
Qeveria tani po teston iniciativa për të mbështetur të moshuarit pa të afërm. Por nuk është e qartë nëse kjo do të mjaftojë...deri atëherë burgjet janë vendet më të sigurta./ZËRI