
BRUKSEL-Bashkimi Evropian ka mirëpritur vendimin e Kosovës dhe Serbisë që zyrtarisht të njohin targat e makinave të njëra-tjetrës dhe të heqin plotësisht regjimin e letrave ngjitëse.
Në një reagim në platformën 'X', shefi për politikë të jashtme dhe siguri i BE-së, Josep Borrell u shpreh se ky vendim dëshmon se arritja e përparimit në avancimin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është i mundur.
Reagimi i plotë:
Ky vendim është hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit si dhe i zotimeve të kaluara në kuadër të dialogut që lidhen me lëvizjen e lirë. Ky vendim po ashtu përbën hap në drejtimin e duhur drejt një integrimi më të mirë rajonal dhe evropian të Ballkanit Perëndimor, nga i cili përfitojnë qytetarët e rajonit.
Qeveria e Serbisë vendosi në 25 dhjetor të lejonte makinat me targa RKS, Republika e Kosovës, të lëvizin lirshëm në territorin e shtetit të saj dhe vendimi nis së zbatuari më 1 janar të vitit 2024./ZËRI