Bota

STUDIMI: Ozempic mund ta kthejë kohën! Prova se ilaçi ul moshën biologjike

Shkencëtarët kanë sugjeruar më parë se ilaçi mund të vononte edhe plakjen biologjike - shkallën me të cilën qelizat plaken - kryesisht bazuar në studimet e kafshëve dhe të dhënat nga vëzhgimet njerëzore.

k.m.
STUDIMI: Ozempic mund ta kthejë kohën! Prova se ilaçi ul
Foto ilustruese

SHBA- Ilaçi Ozempic për diabetin e tipit 2 është lidhur me ritme më të ngadalta të plakjes, dhe tani kemi prova me cilësi të mirë që kjo ndodh vërtet. Ilaçet GLP-1 si Ozempic dhe Wegovy, të dyja prej të cilave përmbajnë ilaçin semaglutide, kanë fituar rëndësi të madhe për efektet e tyre në obezitet, por po eksplorohen edhe për gjendje të tilla si sëmundjet kardiovaskulare, varësia dhe demenca. Shkencëtarët kanë sugjeruar më parë se ilaçi mund të vononte edhe plakjen biologjike - shkallën me të cilën qelizat plaken - kryesisht bazuar në studimet e kafshëve dhe të dhënat nga vëzhgimet njerëzore.

"Tani, kemi rezultatet e para të provave klinike që japin prova të drejtpërdrejta për zhbërjen e plakjes,"- thotë Varun Dwaraka në kompaninë e diagnostikimit TruDiagnostic në Lexington, Kentucky. Një mënyrë për të vlerësuar efektin e një ilaçi në plakjen biologjike është nëpërmjet orëve epigjenetike. Këto identifikojnë modelet e metilimit të ADN-së, etiketat kimike të shtuara ose të hequra nga ADN-ja që ndikojnë në aktivitetin e gjeneve. Këto modele ndryshojnë me moshën dhe mund të përshpejtohen ose ulen nga zgjedhjet e stilit të jetesës, siç është për shembull dieta jonë, që do të thotë se mosha jonë biologjike mund të jetë më e re ose më e vjetër se mosha jonë kronologjike.

Dwaraka dhe kolegët e tij studiuan orët epigjenetike të 108 personave me lipohipertrofi të lidhur me HIV-in, një gjendje që shkakton dhjamë të tepërt dhe plakje të përshpejtuar qelizore. Në një provë të kontrolluar të rastësishme, gjysmës iu dha Ozempic një herë në javë për 32 javë dhe gjysmës tjetër "placebo".

*Placebo është një tabletë ose preparat tjetër mjekësor, që nuk ka asnjë substancë ndikuese dhe d.m.th. nuk mund të ndikojë si medikament.

Duke përdorur gjakun e marrë para dhe pas provës, ekipi identifikoi moshën biologjike të 84 prej këtyre individëve.

"Ata që morën semaglutide u bënë, mesatarisht, 3.1 vjet biologjikisht më të rinj deri në fund të studimit", thotë Dwaraka. Ata në grupin e placebos nuk treguan ndonjë ndryshim të rëndësishëm.

"Semaglutida jo vetëm që mund ta ngadalësojë shkallën e plakjes, por në disa individë mund ta përmbysë atë pjesërisht", thotë ai.

Studiuesit zbuluan gjithashtu se plakja biologjike ishte ngadalësuar në disa organe dhe sisteme, duke përfshirë zemrën dhe veshkat, me efektet më të theksuara të vërejtura në sistemin inflamator dhe trurin - ku ilaçi duket se vonoi plakjen biologjike me pothuajse 5 vjet.

Dwaraka beson se efektet rrjedhin nga ndikimi i semaglutidës në shpërndarjen e yndyrës dhe shëndetin metabolik. Yndyra e tepërt rreth organeve mund të shkaktojë çlirimin e molekulave pro-plakjes, të cilat ndryshojnë metilimin e ADN-së në gjenet kyçe që lidhen me plakjen.

Por edhe pse testimet janë pozitive, mbetet për t’u parë nëse të gjithë duhet të marrim semaglutide për të qëndruar biologjikisht më të rinj./ZËRI

Marrë nga "NewScientist"

Poll

MOS HUMB