
BUKURESHT- Partia Social-Demokrate e Rumanisë, aktualisht në pushtet, është në prag të shënimit të fitores në zgjedhjet parlamentare, për të nisur më parë bisedimet për të formuar një koalicion pro-perëndimor. Votimet e 1 dhjetorit janë mbajtur një javë pas zgjedhjeve të kontestuara presidenciale në këtë shtet, në të cilat një kandidat pro-rus, i të djathtës ekstreme, ka arritur të kalojë në rundin e dytë zgjedhor.
Gjykata Kushtetuese e këtij vendi ka urdhëruar rinumërimin e votave të rundit të parë të zgjedhjeve presidenciale. Banorët e Rumanisë – vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s – janë në pritje të rezultateve përfundimtare, pasi ato preliminare tregojnë se Partia Social- Demokrate (PSD) ka më shumë vota sesa partia ultranacionaliste e ekstremit të djathtë, Aleanca për Unitet të Rumunëve (AUR).
Pas numërimit të 99.3 për qind të votave, PSD ka siguruar 22.7 për qind të votave, ndërsa AUR ka siguruar 18.2%. Partia që fiton më së shumti vota do të ketë të drejtën e nominimit të kandidatit për kryeministër. Nëse asnjëra parti – siç edhe pritet – nuk do të fitojë shumicën parlamentare, atëherë do të nisin negociatat jo fort të lehta për formim të Qeverisë dhe gjithçka do të varet edhe nga rezultati i rundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen javën tjetër.
Dalja në zgjedhje ka qenë 52.36 për qind, që do të thotë se 9.43 për qind e votuesve kanë shfrytëzuar të drejtën e votës – shifra më e lartë në 12 vjetët e fundit. Në këtë proces zgjedhor nuk është raportuar për ndonjë parregullsi të madhe. /REL