Bota

Shpërthimi në Zubin Potok, Kurti dhe Osmani: Është orkestruar nga Serbia

Nga ky shpërthim nuk ka pasur viktima, sipas autoriteteve të Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar fqinjin verior të Kosovës, Serbinë, për "sulm kriminel dhe terrorist", i cili, sipas tij, ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.

Redaksia Zëri
Shpërthimi në Zubin Potok, Kurti dhe Osmani: Është
Pamje nga Zubin Potok

ZUBIN POTOK- Një shpërthim që ka ndodhur mbrëmjen e 29 nëntorit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj. Nga ky shpërthim nuk ka pasur viktima, sipas autoriteteve të Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar fqinjin verior të Kosovës, Serbinë, për "sulm kriminel dhe terrorist", i cili, sipas tij, ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.

Po ashtu, përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë kanë dënuar fuqishëm shpërthimin në Ibër-Lepenc. Kurti ka thënë në një konferencë të jashtëzakonshme për media, para mesnatës, se përmes sulmit është munduar të rrezikohet furnizimi i Kosovës me ujë dhe me energji elektrike.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që “të jenë të qetë dhe të ndjekin në vazhdimësi njoftimet” zyrtare nga organet e vendit, të cilat ka thënë se “janë të angazhuara në menaxhimin e situatës dhe rikuperimin e dëmit”.

Shefi i ekzekutivit kosovar ka deklaruar se shpërthimi në Zubin Potok është sulm terrorist, që autoritetet e Kosovës besojnë se “vjen nga bandat e dirigjuara e të orkestruara nga Serbia, e cila ka interesim dhe aftësi për të shkaktuar sulme e dëmtime të tilla”.

Si pasojë e dëmtimit të kanalit të Ibër-Lepencit, Kurti ka thënë se shumë pjesë të Kosovës mund të mbeten pa energji elektrike në mëngjesin e 30 nëntorit, ndërsa disa qytete dhe një pjesë e qytetit të kryeqytetit, Prishtinë, mund të ngelen pa ujë të pijshëm.

Kurti ka deklaruar se “nuk mund të ketë adresë tjetër për fajësi për organizimin dhe orkestrimin e sulmit, përveç Beogradit zyrtar dhe strukturave kriminale me në krye Millan Radoiçiçin”, të cilat, ka shtuar ai, mbështeten nga institucionet serbe dhe nga presidenti Aleksandar Vuçiç.

Ai ka thënë se Radoiçiç, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës të shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit, “është i lirë në Serbi dhe dirigjon me elementet paramilitare atje”, të cilat, siç është shprehur ai, urrejnë Kosovën dhe popullin e saj. Kurti ka thënë se incidenti në Zubin Potok është shpërthimi i tretë në tre ditët e fundit, përmes të cilit, sipas tij, “është synuar të nxitet frika dhe pasiguria në tre komunat në veri, për ta përshkallëzuar situatën në mbarë vendin”.

“Përpjekjet e këtilla do të ngelen të dëshpëruara. Kushtetutshmëria, sundimi ligjit, rendi dhe populli, republika jonë, nuk do të mund të mposhten asnjëherë nga askush”.

Kurti ka falënderuar partnerët ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, për “mbështetjen e tyre ndaj vendit”. Ai ka thënë se menjëherë pas konferencës do ta takojë komandantin e misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë, KFOR, dhe se do të mbahet një mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurisë së Kosovës. Në lidhje me këtë shpërthim, nuk pati reagime të menjëhershme në Serbi.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit, tha se e dënon ashpër dëmtimin e kanalit të ujit në fshatin Varragë, duke e quajtur atë "akt absolutisht kundër interesave të popullit serb". Partia serbe tha se dëmtimi i kanalit të ujit, përveç se ka rrezikuar furnizimin me ujë të qytetarëve, po ashtu “ka shkaktuar shqetësim te serbët në veri të Kosovës”.

Më herët, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, që doli në vendngjarje, tha se shpërthimi është dëgjuar para orës 19, dhe se një pjesë e Ibër-Lepencit, që konsiderohet si infrastrukturë kritike, është dëmtuar. Ai e cilësoi si "akt terrorist" dëmtimin e kanalit të ujit, përmes së cilit tha se furnizohet edhe Korporata Energjetike e Kosovës. Sveçla tha se institucionet janë mobilizuar që dëmet të sanohen dhe qytetarët të mos vuajnë pasojat.

"Është detyrë e domosdoshme e institucioneve të sigurisë që të hetohen terroristët që kanë kryer këtë akt terrorist dhe të sillen para drejtësisë," theksoi ai.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, fajësoi "bandat kriminale serbe" për sulmin ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës. Bandat kriminale serbe kanë humbur në çdo betejë me institucionet e Kosovës.

"Mbrojtja e kushtetutshmërisë e ligjshmërisë në çdo cep të vendit dhe lufta e pa kompromis ndaj ketyre elementeve kriminale janë jetike", tha ajo, duke u bërë thirrje qytetarëve të vazhdojnë të tregojnë qetësi dhr maturi derisa institucionet të hetojnë rastin dhe të sanojnë dëmet.

Ujësjellësi Rajonale e Ujësjellësit "Mitrovica" njoftoi se ka ndërprerë furnizimin me ujë të pijes për shkak të dëmtimit të kanalit. Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut në Kosovë, pas shpërthimit në Zubin Potok tha se furnizimi me energji elektrike mbetet i sigurt dhe pa ndërprerje në të gjithë territorin e Kosovës.

"Po ashtu, ekipet tona janë duke monitoruar në mënyrë të vazhdueshme situatën për të garantuar stabilitetin dhe funksionimin e sigurtë të sistemit të energjisë elektrike", tha KOSTT. /REL

Poll

MOS HUMB