Bota

Shkupi jep 'OK', do lejojë Lavrov të marrë pjesë në Konferencën e OSBE

Qeveria në Shkup ka autorizuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes të vendit që të ndërmarrin veprimet e duhura në mënyrë që të ketë një "përjashtim", për të lejuar Ministrin e Jashtëm rus të marrë pjesë në konferencën e OSBE.

D.XH
Shkupi jep 'OK', do lejojë Lavrov të marrë pjesë
Sergei Lavrov

SHKUP- Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov do të ulet në aeroportin e Shkupit, me qëllim që të marrë pjesë në Konferencën Ministrore të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), që do të mbahet në Shkup nga 29 nëntori deri më 1 dhjetor, njoftoi Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Qeveria në Shkup ka autorizuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes të vendit që të ndërmarrin veprimet e duhura në mënyrë që të ketë një "përjashtim", për të lejuar Ministrin e Jashtëm rus të marrë pjesë në këtë konferencë.

Në një njoftim, theksohet se ky vendim është në përputhje me rregulloren e BE-së, e cila parasheh “përjashtime” për përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e një vendi nën sanksione, në konferenca ndërkombëtare si OSBE. Maqedonia e Veriut është harmonizuar plotësisht me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe ka vendosur sanksione kundër Rusisë, duke mbyllur gjithashtu hapësirën e saj ajrore ndaj fluturimeve të avionëve rusë.

Ministri i Jashtëm i Rusisë ka kërkuar zyrtarisht të marrë pjesë në Konferencën e OSBE-së në Shkup. Mirëpo, siç ka deklaruar ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, nëse në Shkup vjen Lavrov, do të duhet të vijnë dhe ministrat e Bullgarisë dhe Greqisë.

Nëse Sergej Lavrov më në fund vjen në Shkup, kjo do të jetë vizita e tij e parë në një vend evropian pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Në Konferencën Ministrore të OSBE-së në Shkup, e cila po mbahet me rastin e përfundimit të kryesimit të Organizatës nga Maqedonia e Veriut, do të marrin pjesë ministrat e jashtëm të 57 vendeve të OSBE-së, si dhe delegacione të vendeve të tjera dhe do të jenë konferenca më e madhe që është organizuar në historinë e vendit.

Në këtë konferencë në Shkup, ndër të tjera pritet të marrin pjesë ministri i Jashtëm i SHBA-së, Anthony Blinken dhe i Ukrainës, Dmytro Kouleba, ndërsa nga ana greke, ministri i Jashtëm, Giorgos Gerapetritis./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB