
UASHINGTON - SHBA i ka dërguar Ukrainës afërsisht 1.1 milionë plumba të sekuestruara nga Irani vitin e kaluar. Komanda Qendrore e SHBA (Centcom), e cila mbikëqyr operacionet në Lindjen e Mesme, thotë se fishekët u konfiskuan nga një anije e nisur për në Jemen në dhjetor 2022.
Aleatët perëndimorë të Ukrainës paralajmëruan kohët e fundit se linjat e tyre të prodhimit po përpiqeshin të mbanin ritmin, ndërkohë që Ukraina po përdorte municionet. ‘Centcom’ thotë se fishekët iranianë u dërguan në Ukrainë të hënën.
Fishekët e dhuruar Ukrainës ishin për pushkë. Ndërsa këta fishekë nuk përfaqësojnë një përqindje të lartë, në raport me shtetet aleate që tashmë i kanë dhuruar Ukrainës plumba.
Shtetet e Bashkuara kanë siguruar tashmë më shumë se 200 milionë plumba dhe granata. Municionet iraniane u sekuestruan nga forcat detare amerikane nga një anije që nuk kishte flamur, e quajtur MARVAN 1, më 9 dhjetor 2022. Qeveria amerikane fitoi pronësinë e fishekëve në korrik, përmes një procesi të njohur si konfiskimi civil, me anë të së cilit një pasuri mund të sekuestrohet, nëse pronari i tij mendohet të jetë i përfshirë në aktivitete kriminale. Në këtë rast, SHBA sekuestroi armë nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, një degë e forcave të armatosura iraniane që kanë si detyrë, ruajtjen e qeverisë së vendit.

Në një deklaratë, ‘Centcom’ tha se Shtetet e Bashkuara ishin "të përkushtuara për të punuar me aleatët dhe partnerët për të kundërshtuar ndihmën vdekjeprurëse iraniane në rajon me të gjitha mjetet e mundshme të ligjshme". Irani mbështet rebelët Houthi në luftën e vazhdueshme civile të Jemenit, por transportimet e armëve për grupin ndalohen, sipas një rezolute të vitit 2015 nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
Lufta civile në Jemen filloi në vitin 2014, kur grupi Houthis mori kontrollin e kryeqytetit Sanaa dhe rrëzuan qeverinë e vendit. Qeveria e rrëzuar mbetet autoriteti i njohur ndërkombëtarisht në Jemen dhe mbështetet nga një koalicion shtetesh, i udhëhequr nga Arabia Saudite, si dhe nga SHBA e Britania e Madhe.
Që nga gjysma e dytë e vitit të kaluar, Irani gjithashtu është akuzuar vazhdimisht se ka furnizuar Rusinë me armë, veçanërisht dronë, për përdorim në luftën në Ukrainë. Dërgimi i armëve në Ukrainë vjen mes shqetësimeve në rritje midis aleatëve perëndimorë mbi mundësinë e tyre të vazhdueshme për të armatosur Kievin.
Ministri i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar James Heappey u kërkoi aleatëve të NATO-s të shpenzojnë 2% të të ardhurave të tyre kombëtare për mbrojtjen, një objektiv i rënë dakord nga i gjithë blloku i vendeve perëndimore, por që pritet të përmbushet këtë vit vetëm nga disa shtete.
Transferimi i municioneve iraniane në Ukrainë, vjen gjithashtu në kohën kur administrata Biden kërkon mënyra alternative për t'i ofruar ndihmë Ukrainës, në mes të kundërshtimit nga disa senatorë në Kongres. Zyrtarët kanë paralajmëruar për javë të tëra se nuk ka shumë burime financash për Ukrainën. Presioni nga anëtarët e së djathtës republikane deri tani, ka penguar Dhomën e Përfaqësuesve të miratojë fonde shtesë për Kievin.
Të martën, disa senatorë filluan një votim për të rrëzuar kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Kevin Mçarthy, një veprim që do të vonojë çdo votim për ndihmën e mëtejshme në luftë, derisa të kemi një zëvendësues, gjë që nuk do të ndodhë të paktën deri në mes të javës së ardhshme. Edhe atëherë, çdo kryetar i ardhshëm, që sjell një votim për këtë çështje në foltore është pothuajse e sigurt se do të përballet me kundërshtime të ngjashme./Zëri.ai/