
PRAGË- Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken ka konfirmuar se Uashingtoni ka autorizuar përdorimin e armëve amerikane nga Ukraina brenda territorit rus, pasi Kievi kërkoi leje javët e fundit mes sulmeve ruse në Kharkiv. Blinken, duke folur me gazetarët pas takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s në Pragë, tha se Presidenti Joe Biden e kishte miratuar kërkesën. Kreu i diplomacisë amerikane tha gjithashtu se SHBA-ja dëshiron të sigurojë që të ndërmarrë hapa efektivë në drejtim të mbështetjes që i jepet Ukrainës.
Ai shtoi se në samitin e NATO-s në Uashington në korrik, do të ndërmerren hapa konkretë për ta afruar Ukrainën me Aleancën. Në të njëjtën kohë, vendimi i Berlinit për të lejuar Ukrainën të përdorë armë të prodhuara nga Gjermania kundër objektivave në tokën ruse u njoftua zyrtarisht të premten nga zëdhënësi i qeverisë Steffen Hempstreit, pas lëvizjes së ngjashme nga SHBA. Sipas zyrtarit gjerman, "javët e fundit Ukraina është sulmuar, kryesisht në Kharkiv, nga pozicionet në zonën kufitare ruse".
"Ne jemi bashkërisht të bindur se Ukraina ka, sipas ligjit ndërkombëtar, të drejtën për t'u mbrojtur kundër këtyre sulmeve," sqaroi zëdhënësi.
“Në atë drejtim ai mund të përdorë edhe armët e ofruara për këtë qëllim...përfshirë ato që i kemi ofruar ne”.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg gjithashtu hodhi poshtë kërcënimet ruse për përshkallëzim pas vendimit të SHBA për të lejuar Ukrainën të godasë Rusinë me armë amerikane, duke thënë se Kievi ka të drejtën për vetëmbrojtje.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy përshëndeti "një hap përpara" pasi Shtetet e Bashkuara i dhanë dritën jeshile Kievit për të përdorur armët e furnizuara nga Amerika për të goditur, në kushte, objektiva në tokën ruse.
"Është një hap përpara drejt këtij qëllimi që është të na mundësojë të mbrojmë njerëzit tanë që jetojnë në fshatrat përgjatë kufirit," tha ai gjatë samitit të tretë Ukrainë-Evropë Veriore në Stokholm.
Vendimi përfaqëson një ndryshim për Shtetet e Bashkuara, të cilat kishin frikë se miratimi do ta çonte NATO-n në konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë. Presidenti ukrainas deklaroi gjithashtu se përdorimi i armëve perëndimore nga Ukraina për të goditur territorin rus është "çështje kohe".
“Unë besoj se përdorimi i çdo arme, të stilit perëndimor, në territorin e Rusisë është çështje kohe. Përndryshe nuk është një paqe e drejtë”, u tha Zelenskyy gazetarëve në Stokholm.
Deklaratat e Medvedevit për luftën bërthamore
Ish-presidenti i Rusisë, Dmitry Medvedev, deklaroi sot, të premten, se Rusia nuk po bën bllof kur flet për mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore taktike dhe se konflikti i saj me Perëndimin mund të zhvillohet në një luftë të përgjithësuar.
“Rusia konsideron se të gjitha armët me rreze të gjatë të përdorura nga Ukraina janë tashmë të kontrolluara drejtpërdrejt nga ushtria e vendeve të NATO-s. Kjo nuk është ndihmë ushtarake, është pjesëmarrje në një luftë kundër nesh”, argumentoi Medvedev.
"Dhe veprime të tilla mund të bëhen një casus belli (shkak i luftës)."
Dmitry Medvedev shprehet se Moska nuk po frikëson dhe nuk po bën një "bllof bërthamor".
“Konflikti aktual ushtarak me Perëndimin po zhvillohet sipas skenarit më të keq të mundshëm. Prandaj, sot askush nuk mund të përjashtojë kalimin e konfliktit në fazën e tij përfundimtare”./ZËRI