
SERBI- Shaip Kamberi, udhëheqës i Partisë për Veprim Demokratik, ka fituar edhe një mandat tjetër të përfaqësimit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Kuvendin e Serbisë.
Kamberi ka marrë 11.500 vota, e të cilat janë të mjaftueshme për mandatin e ri në Kuvendin e Serbisë.
Ndërkohë, Alternativa Demokratike Shqiptare e Shqiprim Arifit mori vetëm 1,250 vota. Në këto zgjedhje, shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk kanë arritur të krijojnë një koalicion të përbashkët, në mënyrë që të maksimalizonin rezultatin e tyre.
“Faleminderit të gjithëve, një fitore e madhe e këtij koalicioni, nuk e ka domethënien veç të një mandati, e ka domethënien te e ardhmja politike, mesazhi i dërguar sot është i qartë, ’Lugina e Preshevës do bashkëpunim me Kosovën jo konfrontim, Lugina e Preshevës do rezistencë, jo dorëzim”, ka thënë Kamberi pas fitores.
“Sa herë që hyja në ring, të paktën gjysma e audiencës ishte aq e ekzaltuar për të më parë të vrarë. Ata brohoritnin, bërtisnin dhe shkelmonin për çdo grusht me të cilin më godiste një kundërshtar. Aq shumë saqë u bënë histerikë kur i zhgënjeva ato ëndrra dhe shpresa (Muhamed Ali)”, vijon postimin e tij Kamberi.
Partitë shqiptare hynë në garë me dy lista të ndara: “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon-Shaip Kamberi” dhe “Alternativa Demokratike Shqiptare-lugina e bashkuar”.
Të drejtë vote kishin 112 mijë votues nga Kosova, përfshirë shqiptarët e Luginës dhe serbët e Kosovës. Për herë të katërt, Kamberi do të jetë zëri i shqiptarëve në Kuvendin serb./ZËRI